Ballina Aktuale Reisu-l-Ulema H. Nexhmedin ef. Saqipi pret teologun e njohur shqiptar nga Zvicra,...

Reisu-l-Ulema H. Nexhmedin ef. Saqipi pret teologun e njohur shqiptar nga Zvicra, Mustafë Memetin

SHPËRNDAJE

Sot, në ambientet e residences, Reis-l-Ulema i Bashkësisë Islame të Serbisë, H. Nexhmedin ef. Saqipi, priti në një takim të përzemërt kryetarin e Forumit Koordinativ të Organizimit të jetës fetare shqiptare në Zvicër, teologun e njohur shqiptar nga Zhunica e Preshevës, Z. Mustafë Memetin, i cili prej dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.

Teologu Memeti është një ndër figurat më të njohura të diasporës shqiptare në Evropë. Ai është themeluesi i xhamisë shqiptare në qytetin e Bernës, e cila u ngrit në vitin 1995 dhe është kthyer në një pikë referimi shpirtëror për mijëra besimtarë shqiptarë në Zvicër. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në integrimin, harmoninë ndërfetare dhe veprimtarinë e palodhur humanitare, shteti zviceran e ka nderuar në vitin 2014 me titullin prestigjioz “Zvicerani i Vitit”.

Në këtë takim të sinqertë dhe frytdhënës, dy personalitetet fetare diskutuan gjerësisht për organizimin e jetës fetare në Serbi, në diasporë – veçanërisht në Zvicër – si dhe për gjendjen shpirtërore dhe sociale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ata ndanë përvojat e tyre dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për forcimin e rolit të institucioneve fetare në shërbim të komunitetit.

Ky takim dëshmon për vlerat e përbashkëta, për lidhjet shpirtërore që i kapërcejnë kufijtë gjeografikë dhe për rëndësinë që ka bashkëpunimi dhe uniteti mes figurave dhe institucioneve fetare shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.

Takimi u mbyll me zotimin për thellimin e bashkëpunimit dhe me lutje për paqe, mirëqenie dhe forcim të identitetit fetar dhe kombëtar në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët.(Njofton Jetapress)