Ballina Aktuale Në kujtim të Shpëtim Memetit (13.07.2025)

Në kujtim të Shpëtim Memetit (13.07.2025)

SHPËRNDAJE

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të shokut të gjeneratës, mikut tonë të dashur dhe njeriut me zemër të madhe, Shpëtim Memeti.

Varrimi i të ndjerit u bë të hënën, më 14 korrik 2025, në varrezat e fshatit Tërnoc, ku u përcoll me nderime nga qindra qytetarë.

Shpëtimi vinte nga një familje bujare, fisnike dhe patriotike – djali i mësuesit të nderuar, Avni Qorovina. Ishte njëri nga nxënësit më të mirë të gjeneratës sonë, gjithmonë i dalluar për karakterin, sinqeritetin dhe dashurinë ndaj shokëve.

Por ajo që më shtyu të shkruaj sot, është kujtimi për rolin e tij gjatë vitit 1999, në kohën e mobilizimit të dhunshëm. Në ato ditë të vështira, Shpëtimi ishte një shtyllë e fortë morale për të gjithë ne. Ai u bë krah i djathtë për ngritjen e shpirtit të mobilizuarve, ku trimëria e tij shkëlqente në sy dhe krenaria e tij ishte e patundur.

Shpëtimi ka kaluar në botën e amshuar, por vepra dhe qëndrimi i tij do të mbesin gjithmonë udhërrëfim për qytetarët e Tërnocit dhe për brezat që vijnë. Para Krijuesit, ai është një dëshmi e gjallë se në momentet më të errëta, ai zgjodhi të jetë dritë për të tjerët, duke sakrifikuar për mirëqenien e bashkëfshatarëve të vet.

Modestia e tij dhe e të gjithë atyre që ishim 84 të mobilizuar, mbeti e heshtur. Nuk pati as zhurmë, as lavdata, sepse ajo që ndodhi nuk ishte politikë, lojë apo luftë – ishte një takim i drejtpërdrejtë me flijimin, për hir të njerëzimit dhe paqes.

Lutemi që Krijuesi i Gjithësisë t’i dhurojë privilegjet e Tij dhe t’i lehtësojë proceset e pasvdekjes pa llogari.

Ngushëllime të përzemërta familjes, të afërmve, shokëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur Shpëtim Memetin.

All-llahu e mëshiroftë!

Me respekt,
Nexhmedin Saqipi