Ballina Teknologji Rregulla të reja për inteligjencën artificiale në BE

Rregulla të reja për inteligjencën artificiale në BE

SHPËRNDAJE

Kanë hyrë në fuqi në Bashkimin Evropian rregulla të reja për transparencën e modeleve të inteligjencës artificiale (AI) me përdorim të përgjithshëm, si ChatGPT dhe Gemini.

Sipas këtyre rregullave, zhvilluesit duhet të zbulojnë se si funksionojnë modelet e tyre dhe cilat të dhëna janë përdorur për trajnimin e tyre, raporton gazeta franceze Le Monde.

Për modelet më të avancuara, të cilat mbartin rreziqe më të mëdha, kërkohet dokumentimi i masave të sigurisë. Këto rregulla forcojnë mbrojtjen e të drejtave të autorit, pasi zhvilluesit detyrohen të deklarojnë burimet e të dhënave që përdorin, përfshirë edhe nëse i kanë mbledhur automatikisht nga interneti.

Gjithashtu, kërkohet zbatimi i masave për mbrojtjen e pronës intelektuale.

Të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të njoftojnë Komisionin Evropian se cilat institucione kombëtare do të jenë përgjegjëse për zbatimin e rregullave. Ky ligj ka shkaktuar tensione mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi kompanitë amerikane, përfshirë Google dhe Meta, janë skeptike ndaj këtyre rregullave që mund të ngadalësojnë zhvillimin e teknologjisë së AI-së në Evropë.

Megjithëse BE-ja ka publikuar një kod praktikash të mira, shumë kompani të mëdha amerikane kundërshtojnë ligjet që kërkojnë më shumë mbikëqyrje dhe përgjegjësi.

Zhvilluesit që shkelin ligjin mund të gjobiten deri në 7 për qind të të ardhurave të tyre globale.

Ligji përfshin edhe dispozita për sistemet e AI-së me rrezik të lartë në sektorë të ndjeshëm, si arsimi, infrastruktura energjetike dhe kontrolli kufitar.