Ballina Aktuale Identifikohen autorët e grafiteve me emrin e Ratko Mlladiq në Bujanoc –...

Identifikohen autorët e grafiteve me emrin e Ratko Mlladiq në Bujanoc – procedohen në Prokurori

SHPËRNDAJE

Janë identifikuar autorët e grafiteve provokuese me emrin e të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiq, të shkruara ditë më parë në mure të ndryshme të qytetit të Bujanocit. Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, duke njoftuar se tre persona – me inicialet D.I., S.I. dhe N.S. – janë të dyshuarit kryesorë dhe tashmë janë proceduar tek Prokuroria Publike.

“Të tre kanë dosje dhe aktivitete të dyshimta,” shkruan Pajaziti, duke bërë të ditur se ndaj tyre është iniciuar procedurë penale për veprat penale të dëmtimit të pronës publike dhe nxitjes së urrejtjes ndëretnike.

Kryetari i komunës theksoi se identifikimi i autorëve u arrit në bashkëpunim të ngushtë mes komunës dhe policisë lokale, dhe siç njofton ai, hapi kyç për zbardhjen e rastit ishte një video mesazh i dërguar nga një qytetar.

“Reagimi i policisë ishte i shpejtë dhe efikas. I falënderoj ata për angazhimin dhe qytetarin që tregoi përgjegjësi. Ky është shembulli se si duhet bashkëpunuar me institucionet për sigurinë dhe mirëqenien e përbashkët”, u shpreh Pajaziti.

Në fund, ai inkurajoi qytetarët që të mos hezitojnë të raportojnë çdo dukuri të dyshimtë apo të rrezikshme: “Vetëm përmes bashkëpunimit qytetar-institucion mund të garantojmë një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë.”