Ballina Aktuale Arben Pajaziti i përgjigjet Shaip Kamberit: Nuk jam delegat i kutive të...

Arben Pajaziti i përgjigjet Shaip Kamberit: Nuk jam delegat i kutive të mbushura, as i gjyqit të Nishit

SHPËRNDAJE

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arben Pajaziti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetit Shaip Kamberi, duke e akuzuar për dezinformim publik dhe përpjekje për të monopolizuar përfaqësimin politik të shqiptarëve në Luginë.

“Deputeti paska pranuar se përsëri paska trokitur në derën e Vuçiqit e Macutit. Shpresojmë se këtë nuk e ka bërë natën…”, ka thënë me ironi Pajaziti, në një deklaratë ku sqaron edhe pozicionin e tij karshi planit 7 pikësh.

Ai thekson se kurrë nuk e ka kundërshtuar këtë plan, madje e ka përmendur edhe një ditë më parë, duke u shprehur se “riemërimet në qeveri nuk duhet të nënkuptojnë fillim nga zero në trajtimin e problemeve të shqiptarëve”.

Pajaziti mohon se dokumenti që ka dorëzuar ka ndonjë lidhje me ministrinë që drejtohet nga Demo Berisha dhe se nuk i përket praktikës së “koordinimit të Kamberit”. “Unë kam koalicion transparent në nivel lokal, nuk jam i deleguari i kutive të mbushura e as i gjyqit të Nishit. Po ashtu, nuk jam në dosjet e organeve për korrupsion,” u shpreh ai.

Kryetari i Bujanocit thekson se dokumenti që ka dorëzuar në adresë të institucioneve serbe është “një hap fillestar për ndërtimin e mirëbesimit ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror”.

Sipas tij, Kamberi po përpiqet të paraqitet si i vetmi që di të shkruajë plane dhe të flasë “në emër të shqiptarëve”, ndërsa u shpreh se disa subjekte politike janë futur në kurthin e tij politik dhe “funksionojnë si parti vetëm mbi ‘aftësinë e një individi’”.

“Retorikat e tij se paska informuar Kosovën e Shqipërinë për devijimin e planit 7 pikësh janë përpjekje të kota për ta paraqitur veten si ‘kmeti i Luginës’. Por Kamberi do të bindet se edhe dokumenti im ka kaluar në instancat e Prishtinës e Tiranës zyrtare, si dhe në misionet diplomatike,” shtoi më tej Pajaziti.

Në fund të reagimit, ai shkruan: “Unë nuk paraqitem si telall i shqiptarisë në Luginë, sepse nuk kam nevojë të mbuloj ndonjë të kaluar të dyshimtë.”