Ballina Aktuale MINISTRI DEMO BERISHA NË VIZITË NË BUJANOC

MINISTRI DEMO BERISHA NË VIZITË NË BUJANOC

SHPËRNDAJE

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, ka vizituar komunën e Bujanocit, ku është takuar me kryetarin e komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin, kryetarin e Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviq, si dhe me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Qëllimi i vizitës ishte vendosja e një bashkëpunimi dhe mirëkuptimi më të fortë midis ministrisë përkatëse dhe përfaqësuesve të komunitetit pakicë shqiptar, gjë që, ndër të tjera, nënkupton edhe bisedë me qytetarët rreth problemeve me të cilat ata përballen çdo ditë.
Në takim u analizua situata në nivel lokal dhe bashkëbiseduesit u pajtuan se dialogu, bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe qasja e përbashkët në zgjidhjen e problemeve janë kyçe për zgjidhjen e çështjeve në territorin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, me qëllim që qytetarëve që jetojnë aty t’u sigurohen kushte sa më cilësore për jetë, pasi kjo është politika e Qeverisë së Republikës së Serbisë.

Ministri Berisha theksoi se njerëzit janë prioritet i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror dhe se ajo do të vazhdojë të punojë në përmirësimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, por gjithashtu vuri në dukje se ekziston problem në komunikim, pasi përfaqësuesit e pakicës kombëtare shqiptare refuzojnë dialogun që ministria përkatëse e ka iniciuar disa herë gjatë periudhës së kaluar.

“Këshilli Kombëtar i pakicës kombëtare shqiptare, me veprimet e deritanishme dhe me faktin se refuzon të përgjigjet në çdo formë dialogu që ministria nxit, del jashtë kuadrit të kompetencave të përcaktuara me ligj që kanë të bëjnë me fushat e arsimit, informimit, kulturës dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe alfabetit. Shtrohet pyetja se a punojnë me një sjellje të tillë në të mirë apo në dëm të anëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare, sidomos në kohën kur po ndërtojmë ura midis komuniteteve pakicë që jetojnë në Serbi dhe popullit shumicë, sepse ne jetojmë së bashku me njëri-tjetrin, jo pranë njëri-tjetrit. Prandaj, shtrohet pyetja: a është më mirë të jesh pjesëmarrës në dialog apo instrument i veprimit politik të një partie politike”, tha ministri Berisha.

Ministri theksoi se këshillat kombëtare janë partner i rëndësishëm i autoriteteve në procesin e krijimit të politikave për pakicat dhe se për këtë arsye është e domosdoshme që sa më shpejt të vendoset dialog me përfaqësuesit e komunitetit pakicë shqiptar me qëllim të zgjidhjes së problemeve, sepse kjo është në interes të të dy popujve – serb dhe shqiptar.

Burimi: Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror – kt.gov.rs