Ballina Aktuale NDËRSA KOMUNITETI ROM PËRFITON MBËSHTETJE INSTITUCIONALE, SHQIPTARËT NË LUGINË MBETEN PENG I...

NDËRSA KOMUNITETI ROM PËRFITON MBËSHTETJE INSTITUCIONALE, SHQIPTARËT NË LUGINË MBETEN PENG I PËRÇARJEVE POLITIKE

SHPËRNDAJE

Ministri për të Drejtat e Njeriut, Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, ka vizituar Shtëpinë e Kulturës së komunitetit rom në Leskoc – e vetmja e këtij lloji në të gjithë Serbinë – ku zhvilloi një takim me drejtorin e institucionit, Sreçko Zhivkoviq, për të diskutuar pozitën e këtij komuniteti, sfidat me të cilat përballet dhe projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore rome.

“Institucione si kjo, me përkushtimin dhe punën e tyre, kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe artistike të romëve. Për këtë arsye, ato do të kenë gjithmonë mbështetjen e ministrisë,” tha ministri Berisha, duke theksuar se mbrojtja e interesave të komuniteteve të vogla mbetet prioritet i tij.

Ndërkohë, në anën tjetër, komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës vazhdon të përballet me mungesë bashkëpunimi dhe koordinimi institucional. Megjithëse përfaqësohet nga një organ legjitim si Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve (KKSH), ky institucion shpesh mbetet peng i përçarjeve të brendshme politike, të cilat po reflektohen në marrëdhëniet me institucionet qendrore në Beograd.

Si pasojë e kësaj situate, shumë mundësi ligjore dhe përfitime konkrete që ofrohen për pakicat kombëtare mbeten të pashfrytëzuara nga shqiptarët në Luginë, në një kohë kur komunitete të tjera, si ai rom, po arrijnë të sigurojnë mbështetje të vazhdueshme për projektet e tyre kulturore, arsimore dhe sociale.

Kjo gjendje, sipas vëzhguesve, dëmton drejtpërdrejt interesat e qytetarëve shqiptarë dhe i shërben vetëm atyre që përfitojnë nga pasiviteti institucional.

Megjithatë, ministri Berisha ka ritheksuar gatishmërinë e tij për dialog dhe bashkëpunim të sinqertë me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar, duke deklaruar se “dialogu është çelësi për zgjidhjen e çdo problemi” dhe se Ministria për të Drejtat e Njeriut mbetet e angazhuar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi./Njofton Jetapress/