Ballina Aktuale TRADHTARI DHE SPIUNI NË KOHËN MODERNE

TRADHTARI DHE SPIUNI NË KOHËN MODERNE

SHPËRNDAJE

Ku qëndron sot dallimi ndërmjet tradhtarit dhe spiun-it? A ka ende kuptim t’i quajmë njerëzit me këta emra në një botë që jeton nën sistemin global të spiunazhit dhe digjitalizimit?

Nga Nexhemdin Saqipi

Një popull që nënshtrohet e robërohet për një kohë të gjatë, me kalimin e kohës fillon të përvetësojë vese të dobëta e të dëmshme. Lufta për mbijetesë, frika, stresi dhe mungesa e dinjitetit e lodhin shpirtin e njeriut. Njerëzit nuk janë të njëjtë – as në karakter, as në ndjenja, as në qëndrueshmëri. Ka nga ata që për një interes të vogël janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, madje edhe kundër vetvetes e të afërmve të tyre. Këto dobësi i shfrytëzon gjithmonë pushteti ose okupatori për t’i nënshtruar njerëzit përmes metodave të buta – kulturës, edukimit, ekonomisë, privilegjeve – derisa populli robërohet shpirtërisht dhe shndërrohet në një shoqëri servile.

Etiketimi

Kjo metodë është përshkruar qysh në veprat klasike politike, si “Sundimtari” i Makiavelit. Në këto kushte, lindin etiketime e akuza që përdoren si armë: “tradhtar”, “spiun”, “servil”, “hipokrit”. Këto fjalë janë përdorur gjithmonë – si nga armiqtë, ashtu edhe nga të brendshmit – për të përçarë, frikësuar dhe kontrolluar njerëzit me karakter. Dallimi ndërmjet tradhtarit dhe spiun-it është thelbësor. Tradhtari është kulmi i së keqes – ai që me vetëdije vepron kundër interesave të popullit, fesë apo shtetit. Ai nënshkruan, vendos dhe shkatërron. Spiuni është vetëm bartës i fjalëve dhe informacionit – një mjet që tradhtari e përdor për të fshehur veten. Pa spiunë dhe servilë, tradhtari nuk do të mund të jetonte as të vepronte. Prandaj, shpesh populli i mashtruar merret me spiunët, ndërsa tradhtarët e vërtetë mbeten të padukshëm dhe të paprekshëm.

Akuzat

Në kohën e sotme digjitale, ku çdo njeri përcillet nga teknologjia, satelitët dhe rrjetet sociale, vetë njerëzit janë bërë “spiunë të vetvetes”. Çdo veprim, çdo fjalë dhe çdo vendndodhje janë publike. Prandaj, të akuzosh dikë sot si “spiun” është banale dhe qesharake. Akuzat që lindin nga xhelozia, injoranca apo prapambetja morale – si pse je parë në kafe me dikë apo pse ke bërë një foto me një person tjetër – janë shenja të primitivizmit dhe mungesës së karakterit. Zoti i njeh qëllimet, ndërsa njerëzit shohin vetëm veprat. Feja mëson se pa fakte e dëshmi nuk ka akuzë, dhe se drejtësia vlen vetëm kur gjykohet me arsye e jo me paragjykim. Standardet ndryshojnë me kohën. Një bisedë, një takim apo një bashkëpunim nuk kanë të njëjtin kuptim në kohë lufte dhe në kohë paqeje. Nëse një shoqëri ka zgjedhur të jetojë në paqe, kur marrëveshjet janë nënshkruar dhe rendi është vendosur, duhet të ndalet gjuha e urrejtjes e dyshimit.

Përgjegjësia

Në një shoqëri ligjore dhe të civilizuar nuk ka më “tradhtarë” dhe “spiunë” – por përgjegjësi, besim dhe respekt. Tradhtarë janë ata që pengojnë punën, krijojnë pengesa, shpifin, përçajnë dhe nuk duan të shohin të mirën. Ata që nuk e duan paqen, ligjin, rregullin dhe Zotin – janë tradhtarë të vetvetes dhe të njerëzimit. Sepse aty ku sundon drejtësia dhe morali, nuk lind as tradhtia, as spiunazhi – por përgjegjësia njerëzore dhe paqja shoqërore.