Ballina Aktuale BE-ja përballet me sfida në hartimin e sanksioneve të reja ndaj Rusisë

BE-ja përballet me sfida në hartimin e sanksioneve të reja ndaj Rusisë

SHPËRNDAJE

Dokumenti i diskutimit vëren se Shtetet e Bashkuara aktualisht janë si importuesi më i madh ashtu edhe eksportuesi më i madh i këtyre produkteve, dhe sanksionet potenciale nuk do të ndërprisnin furnizimet evropiane.

Plehrat e kaliumit paraqesin një situatë të ngjashme. Ndërsa BE-ja ka synuar plehrat me bazë azoti me kufizime tregtare, importet e atyre me bazë kaliumi në fakt u rritën në vitin 2024 krahasuar me 2023 dhe 2022.

BE-ja ende prodhon vetë plehra kaliumi, por me kosto më të lartë, kryesisht për shkak të rregulloreve të rrepta mjedisore. Por, blloku mund të importojë edhe nga vende të tjera si Kanadaja dhe Izraeli, që do të thotë se sanksionet për këto importe ruse nuk do të përktheheshin domosdoshmërisht në mungesa për fermerët evropianë.

Shënjestrimi i ‘flotës së hijes’ së Rusisë

BE-ja gjithashtu dëshiron të gjejë mënyra për të goditur “flotën e hijes” të Rusisë — anije të amortizuara me pronësi të paqartë që Moska përdor për të anashkaluar kufirin e çmimit të naftës të vendosur nga G7. Ky kufi ka përcaktuar një çmim, aktualisht 47.60 dollarë për fuçi, me të cilin lejohet të tregtohet nafta bruto ruse.

Brukseli deri tani ka futur në listën e zezë 562 anije që përpiqen të anashkalojnë kufirin. Futja në listë të zezë nënkupton se ato nuk mund të marrin shërbime në asnjë port të BE-së, por besohet se ka të paktën edhe 400 të tjera që ende nuk janë synuar. Dhe ato ende lejohen të lundrojnë në ujërat e BE-së, duke shkaktuar shpesh frikë për derdhje nafte dhe rreziqe të tjera.

Franca kohët e fundit shpërndau një dokument diskutimi në kryeqytetet e BE-së për atë që mund të bëhet më shumë në këtë fushë. Thelbi i propozimit të Parisit është se BE-ja dhe vendet me të njëjtat qëndrime duhet të fokusohen në atë që ajo e quan “një qasje e drejtuar nga vëllimi.”

Kjo do të thotë, në thelb, rregullimi i sasisë së naftës që anijet lejohen të transportojnë. Pa dhënë detaje se si do të funksiononte në praktikë, dokumenti, i parë nga REL-i, vëren se hapi i ardhshëm i Brukselit duhet të jetë goditja e “të gjithë mundësuesve të flotës së hijes, veçanërisht rrjeteve të saj financiare, tregtare dhe logjistike në vendet e treta.”

Edhe pse kjo mund të nënkuptojë sanksione, dokumenti gjithashtu sugjeron “futjen e stimujve për të inkurajuar pronarët e anijeve të listuara të riintegrojnë kanalet legjitime të tregtisë” dhe “parandalimin e rritjes së mëtejshme të kapacitetit të ngarkesës përmes kontrolleve më të rrepta dhe kërkesave të kujdesit të shtuar gjatë shitjes së anijeve.”

Pastaj vjen çështja e ndalimit të anijeve që i përkasin flotës së hijes në ujërat evropiane.

Franca bëri bujë në shtatorin e kaluar kur autoritetet franceze hypën në anijen Pushpa/Boracay pas dyshimeve se ajo kishte marrë pjesë në incidente me dronë në Danimarkë më herët atë muaj, të cilat çuan në mbylljen e aeroportit të Kopenhagenit për disa orë.

Franca po u kërkon vendeve të BE-së të veprojnë më ashpër ndaj anijeve që mund të jenë në fakt pa shtetësi, duke argumentuar se “kur këto anije të dyshimta valëviten me flamuj të rremë, ose kur në realitet janë fshirë nga regjistri i shtetit flamur-mbajtës që pretendojnë, ato janë anije pa shtetësi” dhe për këtë arsye i bëjnë më të lehta për t’u ndaluar nga vendet evropiane pa shkelur Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit. / REL/