Ballina Aktuale IDENTITETI, LIRIA DHE KUFIJTË E DIASPORËS

IDENTITETI, LIRIA DHE KUFIJTË E DIASPORËS

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Identiteti kombëtar, vetëdija historike dhe prania fizike në një territor përbëjnë themelin e çdo bashkësie politike. Një popull që ruan lidhjen e gjallë me tokën, kulturën dhe përditshmërinë e tij, nuk mund të “okupohet” politikisht nga askush – as nga jashtë, as nga distanca.
Diaspora, me gjithë vlerën e saj, nuk mund të zëvendësojë përvojën e atyre që përballen çdo ditë me realitetin shoqëror dhe institucional.

Liria si vlerë

Në traditën fetare e filozofike, liria është dhuratë hyjnore që i jep njeriut mundësinë të ndërtojë dhe mbrojë atdheun e tij. Me lirinë vjen përgjegjësia: ruajtja e identitetit, stabilitetit dhe rendit shoqëror.
Fjala e Omerit – “Si mund ta robërosh njeriun, kur nënat e tyre i kanë lindur të lirë?” – e përkujton se njeriu është krijuar për të qenë i lirë dhe për të mbrojtur vatrën e tij.
Në traditën profetike, dashuria për atdheun është pjesë e besimit.

Lidhja e njeriut me një vend ndërtohet nga puna, tradita, gjuha, varrezat e të parëve dhe kujtesa e përbashkët. Nga perspektiva etike, askush nuk ka të drejtë t’i largohet përgjegjësive në momentet kyçe. Largimi i vullnetshëm dhe integrimi i plotë në një shtet tjetër krijojnë identitet të ri, ndërsa lidhjet me vendlindjen shpesh mbeten simbolike.

Diaspora mes dy realiteteve

Diaspora jeton midis dy botëve: as plotësisht pjesë e atdheut, as plotësisht pjesë e vendit pritës.
Kjo krijon atë që në diskursin akademik quhet asimetria e përvojës politike: ata që jetojnë jashtë nuk përjetojnë drejtpërdrejt pasojat e vendimeve politike.
Pikërisht për këtë arsye në shumicën e vendeve demokratike, roli i diasporës është mbështetës – jo vendimmarrës.

Legjitimiteti politik buron nga përditshmëria: taksat, shkollat, shërbimet publike, siguria, zhvillimi ekonomik. Për këtë arsye, përgjegjësia kryesore për ndërtimin e institucioneve i takon atyre që jetojnë në vend. Ndërhyrjet politike nga distanca shpesh krijojnë tensione dhe përçarje, pasi nuk mbështeten në përvojë të drejtpërdrejtë.

 Realiteti i ri shoqëror

Shoqëritë tona kanë avancuar në arsim, profesionalizëm dhe vetëdije qytetare.
Projektimi i logjikave të diasporës mbi realitetin lokal shpesh sjell keqkuptime dhe konflikte perceptimi, sidomos kur importohen standarde që nuk korrespondojnë me kontekstin vendas.

Roli i diasporës është i çmuar: ekonomik, kulturor, moral. Por ai duhet të jetë mbështetës, jo komanduese. E ardhmja e një vendi ndërtohet nga ata që jetojnë, punojnë dhe sakrifikojnë çdo ditë në të. Kjo temë kërkon analizë të qetë, pa ngarkesa emocionale, duke respektuar parimet e përgjegjësisë shoqërore dhe shtetformimit.

Për fund: Kush mund të udhëheqë?

Teologu i famshëm z. Mustafa Memeti shpreh qartë një të vërtetë shpesh të anashkaluar: “Mos na quani diasporë e as mergate. Ne jetojmë më mirë se ju, dhe gjendjen e kemi më të stabilizuar se ju.”
Kjo pyetje mbetet thelbësore: A mund të udhëheqë një komunitet ai që nuk jeton brenda realitetit të tij?