Ballina Aktuale LUGINA E PRESHEVËS NUK ËSHTË LABORATOR POLITIK

LUGINA E PRESHEVËS NUK ËSHTË LABORATOR POLITIK

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Nuk mund të ketë vlerësim për Albin Kurtin në momentin kur veprimet e tij politike po synojnë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, kthimin prapa të proceseve që shqiptarët e Luginës së Preshevës i kanë ndërtuar me dekada sakrifice, përgjegjësie dhe maturie politike. Çdo tentativë për ta relativizuar këtë realitet është mohim i përpjekjeve kolektive të një popullsie që ka kaluar faza të rënda represioni, izolimi dhe përjashtimi institucional.

Narrativa e “pushtetit të kapur”

Vetëvendosje e ka ndërtuar identitetin e saj politik mbi diskursin e luftës kundër klaneve, korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Por ironia qëndron në faktin se pikërisht kjo filozofi po shkilet në Luginë. Për më shumë se 20 vjet, Lugina ka qenë peng i të njëjtave struktura politike, që kanë alternuar pozitën dhe opozitën, shpesh në koordinim të heshtur me Beogradin, Prishtinën dhe Tiranën zyrtare.

U deshën dy dekada për të krijuar alternativa reale, për të thyer monopole politike dhe për t’i hapur rrugë gjeneratave të reja. Ky ndryshim u konkretizua në Bujanoc përmes vullnetit qytetar dhe jo përmes skemave të imponuara nga jashtë.

Përkrahje e njëanshme

Në vend që Qeveria e Kosovës të mbajë një qëndrim institucional, neutral dhe bashkëpunues ndaj Luginës së Preshevës, ajo ka zgjedhur të përkrahë hapur një parti dhe një klan politik që tashmë nuk gëzon as autoritet dhe as legjitimitet qytetar. Kjo qasje nuk është vetëm e gabuar politikisht, por edhe e rrezikshme në aspektin e stabilitetit afatgjatë.

Synimi është i qartë: rikthimi në pushtet i strukturave që qytetarët i kanë ndëshkuar me votë. Lugina po përdoret si kusuritje politike për nevojat e brendshme të Qeverisë Kurti, për të ndërtuar narrativa të rreme të reciprocitetit dhe për të zhvendosur vëmendjen nga zhvillimet në veri të Kosovës.

Mjetet financiare si instrument

Po, Kosova ka ndarë mjete financiare për Luginën. Por problemi nuk qëndron te ndarja e tyre, por te mënyra se si janë kanalizuar: përmes militantëve partiakë, përmes një Këshilli Nacional të legjitimuar nga Beogradi, përmes deputetit të vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë dhe përmes një opozite të dëshpëruar nga humbja e pushtetit në Bujanoc.

Këto mjete, në vend që të shërbejnë për zhvillim dhe stabilitet, po përdoren për përçarje, tensionim dhe rikthim të logjikës së konfliktit.

Lugina e Preshevës ka pranuar Marrëveshjen e Konçulit nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, ka demilitarizuar UÇPMB-në dhe ka zgjedhur rrugën politike për realizimin e të drejtave. Integrimi institucional, ndërtimi i një shoqërie multietnike dhe bashkëjetesa kanë qenë themelet mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti i pasluftës. Çdo tentativë për ta destabilizuar këtë proces është sulm i drejtpërdrejtë ndaj vullnetit qytetar.

Shoqëria civile nuk hesht

Shoqëria civile në Luginë nuk ka heshtur dhe nuk do të heshtë përballë veprimeve jodemokratike, përçarëse dhe hakmarrëse. Ajo ka përkrahur çdo proces pozitiv, ka informuar, ka ndërtuar ura besimi dhe ka promovuar vlera të bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe serbëve.

Por sot, pikërisht këta zëra të pavarur po injorohen, vetëm pse nuk i nënshtrohen asnjë qendre politike.

Lugina s’kthehet në vitin 2000

Shqiptarët e Luginës nuk mund dhe nuk do të kthehen në vitin 2000 për të kërkuar të drejta elementare të njeriut. Kjo fazë është tejkaluar. Bujanoci nuk mund të bëhet monedhë shkëmbimi për interesa klanore apo lojëra rajonale.

Lugina jeton në një proces të monitoruar ndërkombëtarisht të normalizimit dhe integrimit. Ajo ka qenë dhe mbetet burim i frymës së re për rajonin.

Një paralajmërim i qartë

Kushdo që ka qenë korrekt ndaj Luginës ka fituar respekt. Kush ka tentuar manipulimin, e ka paguar çmimin politik. Lugina e Preshevës është kockë e fortë.

Mos provokoni zjarrin dhe mllefin e akumuluar për dekada. Sepse ai zjarr, nëse ndizet, nuk kursen askënd.