Ballina Aktuale POLITIKA QË MADHËRON VDEKJEN DHE INJORON JETËN

POLITIKA QË MADHËRON VDEKJEN DHE INJORON JETËN

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Nëse shoqëria shqiptare analizohet me sinqeritet, del në pah një paradoks i dhimbshëm: organizimet më të shpeshta, më të strukturuara dhe më “të suksesshme” i kemi gjithmonë rreth vdekjes. Varrime, homazhe, akademi përkujtimore, përvjetorë – këto janë aktivitetet ku nuk mungojnë as fondet, as vëmendja, as prania institucionale.

Ndërkohë, jeta reale mbetet në hije. Për të gjallët, për kulturën, arsimin, rininë, sportin, emancipimin shoqëror, investohet pak ose aspak. Sikur të jetosh të mos ketë vlerë, ndërsa të vdesësh të shndërrohet në ngjarje publike.

Kur vdekja merr më shumë rëndësi se jeta

Kemi arritur në një fazë ku ceremonitë për të vdekurit marrin më shumë energji, financa dhe emocione sesa vetë jeta. Ky nuk është respekt. Kjo është një formë e sëmurë e zhvendosjes së vlerave, ku jeta zhvlerësohet dhe vdekja romantizohet.

Sipas Islamit, shumë nga këto praktika janë të ndaluara: për shkak të harxhimeve të tepruara, keqpërdorimeve, rivaliteteve, shfaqjeve të rreme dhe shkeljes së adeteve autentike. Ato nuk përfaqësojnë as fenë dhe as kulturën tradicionale shqiptare.

Çfarë po ndodh, në fakt, është një deformim i dyfishtë: i fesë dhe i kulturës. Ato janë zëvendësuar me bestytni, modele të huazuara dhe shfaqje boshe, pa përmbajtje shpirtërore dhe morale.

Vdekja si skenë politike

Këto dukuri shfaqen më së shumti në shoqëri të varfra, të korruptuara dhe të lodhura ekonomikisht. Aty ku mungon vizioni për jetën, vdekja shndërrohet në skenë politike.

Nëse shohim praktikën globale, Kosova dhe politika kosovare kryesojnë në këtë garë absurde. Thuajse çdo ditë, liderë politikë, parti dhe institucione shfaqen në varrime, homazhe, përvjetorë, gurthemele përkujtimore.

Paradoksi më i madh është se këto ceremoni i përkasin fushës fetare, por organizohen pa udhëheqës fetarë, pa institucione fetare dhe shpesh edhe kundër rregullave të besimit.

Uzurpimi institucional i ritualit

Politika i ka uzurpuar këto ceremoni. I ka okupuar me autoritet shtetëror dhe i ka instrumentalizuar materialisht dhe simbolikisht. Janë futur risi pa leje, pa konsultim dhe pa rolin e institucioneve fetare, të cilat me Kushtetutë janë të legjitimuara si ruajtëse të trashëgimisë fetare.

Si është e mundur që një presidente, një kryeministër apo një kryetar partie të jenë pothuajse në çdo ceremoni mortore?
A nuk kanë këta përgjegjësi funksionale?
A nuk kanë punë reale për të gjallët?

Të gjallët harrohen, të vdekurit shfrytëzohen

Ndërkohë që për të vdekurit harxhohen miliona, për të gjallët nuk financohet kultura, arsimi cilësor, sporti, infrastruktura kulturore dhe zhvillimi shoqëror. Jeta reale mbetet e braktisur.

Politikanët shfaqen të veshur bukur, seriozë, të “pikëlluar” pa lot në sy, sepse ndjenjat u janë tharë prej kohësh. Varrimet janë shndërruar në skenë filmi, në shfaqje pushteti dhe dominimi shoqëror.

Kjo nuk është respekt – është politikë e ftohtë. Është instrumentalizim i vdekjes për të sunduar të gjallët. Një praktikë që u shkon për shtati atyre që nuk besojnë në Zot dhe nuk ndiejnë përgjegjësi morale.

Një shoqëri pa ndërgjegje jetësore

Dikur vetëm një lider madhërohej pas vdekjes; sot shumëkush e shijon këtë madhërim që për së gjalli, duke ushqyer një nostalgji autoritare të rrezikshme.

Harrojnë se Zoti i pret një nga një dhe se për çdo padrejtësi do të japin llogari. Po ndërtohet një shoqëri pa Zot, pa ndërgjegje dhe pa jetë. Dhe kjo, në fund, është tragjedia më e madhe e kohës sonë.