Ballina Aktuale SHQIPTARËT E SARAJEVËS MES SAKRIFICËS DHE KUJTESËS

SHQIPTARËT E SARAJEVËS MES SAKRIFICËS DHE KUJTESËS

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Kontributi shumëvjeçar i aktivistit të njohur shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë, Naser Miftari, ka marrë vlerësimin e merituar kombëtar. Me propozim të Bashkësisë Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë, ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, ka miratuar dekorimin e z. Miftari me titullin “Nderi i Kombit”, për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm në shërbim të komunitetit shqiptar në Bosnje dhe më gjerë.

Ky vlerësim përfaqëson jo vetëm një nder personal, por edhe një mirënjohje institucionale për të gjithë ata veprimtarë që, në rrethana të vështira historike, mbajtën gjallë identitetin, solidaritetin dhe dinjitetin kombëtar shqiptar.

Shtyllat e identifikimit

Në këtë rrugëtim të gjatë dhe të vështirë, Muharrem Zejnullahu, ish-ambasador i Bosnje dhe Hercegovinës në Shqipëri dhe Konsull i Përgjithshëm Nderi i Shqipërisë në Bosnje dhe Hercegovinë, bashkë me Naser Miftarin dhe Omer Zukon, kanë qenë shtylla kryesore në identifikimin, organizimin dhe përfaqësimin e shqiptarëve që jetonin në Sarajevë.

Falë përkushtimit të tyre, komuniteti shqiptar arriti të ruajë kohezionin, të krijojë rrjete mbështetëse dhe të artikulojë zërin e tij në një periudhë të trazuar politike dhe shoqërore.

Një rol të pazëvendësueshëm gjatë viteve ’90 e kanë luajtur edhe që studionin në universitetet e Bosnje dhe Hercegovinës. Ata u shndërruan në një forcë unifikuese për komunitetin, duke organizuar ndihma për Kosovën, tubime sensibilizuese dhe aktivitete kombëtare.

Një nga arritjet më domethënëse ishte hapja e një xhamie shqiptare, ku ligjëratat zhvilloheshin në gjuhën shqipe, duke ruajtur identitetin gjuhësor e kulturor. Ndër studentët më aktivë të asaj kohe përmenden: Muvehid Hebibi nga Presheva, Masar Bekiri nga Tetova, Nexhmedin Saqipi nga Tërnoci, Gafur Zharku dhe Zekerja Idrizi nga Shkupi, Daut Bajrami nga Prishtina, Nail Halimi nga Dragashi, si dhe shumë të tjerë.

Kontributi i shqiptarëve në Sarajevë – si qendër e ish-Jugosllavisë dhe vatër e kulturës, traditës dhe arsimit – mbetet një kapitull i rëndësishëm i historisë sonë kolektive.

Nisma për kujtesën historike

Së fundmi, një grup aktivistësh shqiptarë në Bosnje dhe Hercegovinë kanë ndërmarrë një nismë të rëndësishme për të tubuar, hulumtuar dhe dokumentuar shqiptarët që humbën jetën gjatë Luftës së Bosnjës, me fokus të veçantë në Sarajevë.

Siç ka bërë të ditur Naser Miftari, gjatë një takimi me miqtë e tij të vjetër në Sarajevë, u rikujtua roli i jashtëzakonshëm i komunitetit shqiptar gjatë luftës. Në këtë takim morën pjesë Miftari, ish-kryetar i Bashkësisë Shqiptare në BeH “Bajram Curi” në Sarajevë, si dhe veprimtarë të tjerë që prej dekadash kanë qenë në shërbim të komunitetit.

Klubi “Bajram Curi” – vatër solidariteti

Klubi “Bajram Curi”, i themeluar në vitin 1959, ka qenë një pikë kyçe e tubimit dhe solidaritetit për shqiptarët në Sarajevë. Gjatë luftës, ai u shndërrua në një strehë njerëzore dhe shpirtërore, ku u bashkuan qindra shqiptarë: studentë, ushtarë, civilë, pleq, gra dhe fëmijë.

Me mjete modeste, por me vullnet të jashtëzakonshëm, komuniteti shqiptar në Sarajevë – sipas fjalëve të Miftarit – “e dha provimin moral dhe njerëzor”.

Në kuadër të kësaj pune vullnetare, aktivistët kanë arritur të identifikojnë një numër të madh shqiptarësh të vrarë dhe të plagosur gjatë luftës. Deri më tani, është përpiluar një listë me 164 shqiptarë të vrarë vetëm në Sarajevë, një shifër tronditëse që dëshmon përmasën e sakrificës së këtij komuniteti, shpesh të lënë në harresë nga narrativat zyrtare.

Në këtë ekip angazhimi dhe kujtese janë përfshirë: Naser Miftari, Suada Axhanela, Fuad Axhanela, Halil Bicaj, Omer Zuko, si dhe bashkëshortet e tyre, të cilat kanë qenë pjesë e pandarë e kësaj pune humane dhe dokumentuese.

Vazhdimësia e misionit

Aktualisht, kryetare e Bashkësisë Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë është Elvira Dushi, e cila po vazhdon me përkushtim rrugën e hapur nga ambasadori i palodhur Muharrem Zejnullahu. Nën udhëheqjen e saj, është planifikuar që më 16 prill, nëse gjithçka shkon sipas planit, të organizohet një tubim i madh me shqiptarët që morën pjesë në Luftën e Bosnjës.

Ky tubim synon jo vetëm nderimin e të rënëve, por edhe bashkimin e dëshmitarëve të gjallë të asaj periudhe, për të mos lejuar që sakrifica e shqiptarëve në Bosnje të mbetet në heshtje apo të mbulohet nga harresa.

Kujtesa si detyrim

Kjo nismë përbën një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë morale, dokumentimit historik dhe respektit për jetët e humbura, duke dëshmuar se kujtesa kolektive nuk është vetëm e drejtë, por një detyrim njerëzor dhe kombëtar./Jetapress/