Ballina Aktuale Ministri Berisha nga Surdulica: Tragjedia nuk duhet të keqpërdoret për përhapje urrejtjeje

Ministri Berisha nga Surdulica: Tragjedia nuk duhet të keqpërdoret për përhapje urrejtjeje

SHPËRNDAJE

Ministri për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogun Social, Demo Berisha, ka dënuar ashpër sulmet dhe thirrjet për linçim ndaj familjes së një bukëpjekësi shqiptar në Surdulica, pas një aksidenti trafiku ku një banor humbi jetën.

Në reagimin e tij, ministri theksoi se është e papranueshme që një tragjedi të shfrytëzohet për përhapje të urrejtjes, për thirrje për dëbim apo për dënime kolektive mbi bazë kombësie. Ai rikujtoi se nxitja e linçimit dhe e dhunës përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe cenon vlerat themelore të shoqërisë.

“Humbja e një jete njerëzore është një tragjedi që kërkon dhembshuri dhe respekt për familjen e viktimës. Por asnjë aksident nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në arsye për të targetuar një familje apo një komunitet të tërë për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare”, u shpreh Berisha, përcjell preshevacom.

Ai paralajmëroi se përhapja e mesazheve të urrejtjes në hapësirën publike dhe në rrjetet sociale mund të rrezikojë sigurinë e qytetarëve dhe të dëmtojë marrëdhëniet ndëretnike.

“Serbia është shteti i të gjithë qytetarëve të saj. Vetëm përmes respektimit të ligjit dhe përgjegjësisë individuale mund të ruajmë stabilitetin dhe besimin e ndërsjellë. Urrejtja dhe hakmarrja nuk janë përgjigje ndaj tragjedive”, theksoi ministri.