Ballina Aktuale “ME KËND JE?” – KUR NJË PYETJE BËHET ARMË PËR PËRÇARJE

“ME KËND JE?” – KUR NJË PYETJE BËHET ARMË PËR PËRÇARJE

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Në dukje, pyetja “Me kënd je?” apo “Nga cila anë je?” mund të tingëllojë e thjeshtë dhe e pafajshme. Por në realitet, shumë herë ajo nuk është një pyetje për të kuptuar të vërtetën. Përkundrazi, është një kurth i menduar mirë për të provokuar, për të nxitur përçarje dhe për të detyruar njerëzit të rreshtohen pa menduar.

Kjo pyetje shpesh bëhet jo për të kërkuar drejtësi, por për të krijuar kampe. Ajo përdoret për të ndarë njerëzit në “tanët” dhe “të tjerët”, për të ndezur emocione dhe për të përfituar politikisht, fetarisht apo kombëtarisht në kurriz të së vërtetës. Në vend që të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve, ajo shpesh i thellon ato.

Besnikëria dhe drejtësia

Në thelb, pyetja “Me kënd je?” shpesh është një formë shantazhi moral. Ajo nuk kërkon drejtësi, ajo kërkon besnikëri të verbër. Është shumë e rrezikshme kur dikush, pasi ka shkaktuar konflikt, padrejtësi apo edhe tragjedi, del dhe kërkon përkrahje duke u fshehur pas flamurit të fesë, kombit, partisë apo familjes.

Kjo nuk është drejtësi. Kjo është manipulim emocional. Ai që kërkon mbështetje në këtë mënyrë nuk është i fortë. Përkundrazi, ai është frikacaku më i madh, sepse përpiqet të mbulojë të keqen me emocione dhe propagandë.

Një njeri me moral dhe ndërgjegje nuk duhet të matet me pyetjen “me kënd është”, por me pyetjen shumë më të rëndësishme: “A është me të drejtën?”

Feja, morali dhe logjika njerëzore na mësojnë një parim shumë të thjeshtë:
Padrejtësia nuk duhet mbështetur edhe nëse vjen nga më i afërti ynë. Sepse në momentin që ne përkrahim të keqen, bëhemi pjesë e saj. Dhe kur një shoqëri fillon ta arsyetojë padrejtësinë vetëm sepse vjen nga “ana jonë”, atëherë ajo shoqëri fillon të rrëshqasë drejt shkatërrimit moral.

Kur zjarri ndizet nga manipulimi

Shpesh kjo pyetje bëhet pasi konflikti ka shpërthyer dhe zjarri tashmë është ndezur. Njerëzit shtyhen të zgjedhin një anë pa reflektuar, pa analizuar dhe pa kërkuar të vërtetën.

Por logjika e shëndoshë kërkon diçka tjetër: Së pari të ndalet zjarri. Së pari të shpëtohen njerëzit. Së pari të mbrohet jeta. Vetëm pas kësaj kërkohet përgjegjësia dhe drejtësia.

Askush nuk ka të drejtë të krenohet me luftëra, shkatërrime apo vuajtje njerëzore. Ata që gëzohen me fatkeqësinë e të tjerëve, në fakt gëzohen mbi dhimbjen e njerëzimit.

Dhe për këtë, çdo njeri do të japë llogari para ndërgjegjes dhe para Zotit.

Kur shoqëria bëhet peng i të keqes

Fatkeqësisht, sot shumë njerëz shpesh pa e kuptuar bëhen pjesë e kësaj loje të rrezikshme. Ata shtyjnë përpara të keqen duke e mbështetur atë me emocione, fanatizëm apo interes.

Por e keqja ka një natyrë të pamëshirshme: ajo nuk zgjedh viktima. Nëse nuk ndalet në kohë, ajo përfundimisht i godet të gjithë edhe ata që mendonin se po e kontrollonin atë.

Shoqëritë që janë të përgatitura mund t’i përballojnë krizat. Por ato që ushqejnë përçarjen dhe padrejtësinë, zakonisht përballen me pasojat më të rënda.

Besimtari i vërtetë nuk guxon të qëndrojë në anën e gabuar as nga frika, as nga interesi dhe as nga lidhjet personale. Sepse Zoti nuk i do të padrejtët, arrogancën dhe shkatërrimin.

Historia dhe tradita fetare na japin shumë shembuj për këtë. Njëri prej tyre është betimi i Profetit Musa (a.s.), i cili tha: “Zoti im betohem në ato të mira që mi dhurove mua, se kurrë nuk do të vihem në ndihmë të kriminelëve.”

Ky është një parim i përjetshëm: njeriu duhet të qëndrojë gjithmonë në anën e drejtësisë, edhe kur kjo është e vështirë.

Prandaj, pyetja e vërtetë që duhet të bëjmë nuk është: “Me kënd je?” Por një pyetje shumë më e rëndësishme: “A është kjo e drejtë apo e padrejtë?”

Sepse drejtësia nuk ka kamp e vërteta nuk ka flamur dhe ndërgjegjja nuk duhet të shitet për asnjë interes.

Mesazhi

Në një botë ku shumë njerëz kërkojnë të na rreshtojnë në anë të ndryshme, guximi më i madh është të mos jesh me një kamp, por të jesh me të drejtën. Prandaj përgjigjja më e ndershme ndaj çdo presioni është: Jo: “me kënd je?” por: “Jam me të drejtën!”