Ballina Aktuale ADRESAT E PASIVIZUARA, APO TRURI I PASIVIZUAR?!

ADRESAT E PASIVIZUARA, APO TRURI I PASIVIZUAR?!

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës tashmë është bërë një nga temat më të përfolura në diskursin publik. Për vite me radhë, mijëra qytetarë janë përballur me një fenomen administrativ që në praktikë ka prodhuar pasoja politike, sociale dhe demografike.

Megjithatë, përtej shqetësimit real të qytetarëve, kjo çështje shpesh është përdorur edhe si instrument politik. Në vend që të trajtohet me seriozitet institucional dhe me strategji të mirëfilltë, ajo shpesh shndërrohet në retorikë patriotike, deklarata emocionale dhe përplasje politike që prodhojnë më shumë zhurmë sesa zgjidhje.

Spektakëli politik

Ironia më e madhe është se disa nga politikanët që sot bëjnë zhurmë për pasivizimin e adresave, duket se shumë më herët u është pasivizuar mendimi kritik dhe përgjegjësia politike.

Në vend që të angazhohen për zgjidhje konkrete dhe për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, ata shpesh preferojnë të merren me tema të mëdha globale, konferenca, deklarata diplomatike dhe “patriotizëm virtual”, ndërsa problemet reale të qytetarëve mbeten në plan të dytë.

Pasivizimi i adresave është problem serioz, por edhe më serioz është pasivizimi i mendjes politike që duhet ta mbrojë qytetarin.

Nga emigrimi i luftës te emigrimi i luksit

Dikur njerëzit largoheshin nga vendlindja për shkak të konflikteve të armatosura dhe pasigurisë. Ishte një emigrim i detyruar nga frika dhe rreziku.

Sot realiteti është ndryshe. Shumë njerëz largohen nga Lugina për një jetë më të mirë ekonomike, duke shkuar jo vetëm në Evropë, por edhe në vende të largëta, deri në Zelandë të Re apo në Afrikë.

Kjo është një pasqyrë e qartë e krizës sociale dhe ekonomike. Por ajo që shton ironinë është fakti se disa nga “patriotët më të zëshëm” nuk jetojnë në shtëpitë e tyre në vendlindje. Ata vetë zgjedhin një jetë më të begatë dhe më luksoze jashtë, ndërsa për vendlindjen flasin vetëm nëpër deklarata dhe rrjete sociale.

Heshtja problematike

Këtë vit, Qeveria e Serbisë ka dalë me një njoftim për qytetarët lidhur me procedurat për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje. Janë publikuar detaje të reja për dokumentacionin dhe tarifat, me qëllim që shumica e objekteve të regjistrohen në emër të pronarëve realë.

Familjet paguajnë nga rreth 100 euro për legalizimin e objekteve, shpesh pa zhurmë dhe me vullnet të plotë, madje edhe ata njerëz që prej vitesh kanë braktisur vendlindjen dhe shtëpitë e tyre janë rrafshuar ose mbetur rrënoja.

Ironikisht, kjo çështje nuk është kontestuar pothuajse nga askush në skenën politike shqiptare. Përkundrazi, ka pasur edhe thirrje që qytetarët të kryejnë sa më shpejt obligimet e tyre.

Problemet reale kërkojnë mendje aktive

Nëse një shoqëri dëshiron të mbrojë veten, ajo duhet të fillojë nga mbrojtja e interesave konkrete të qytetarëve të saj.

Pasivizimi i adresave nuk është vetëm një çështje administrative. Ai lidhet drejtpërdrejt me të drejtën e qytetarisë, me pronën, me përfaqësimin politik dhe me vetë të ardhmen demografike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Por për ta trajtuar këtë problem seriozisht, nuk mjafton patriotizmi deklarativ. Duhet mendim i qartë politik, strategji dhe guxim institucional. Sepse rreziku më i madh nuk është vetëm pasivizimi i adresave. Rreziku më i madh është kur pasivizohet mendja e atyre që duhet të flasin dhe të veprojnë për qytetarët.