Ballina Aktuale DIALOGU SI URË BASHKËPUNIMI: THIRRJE PËR PËRGJEGJËSI DHE AVANCIM TË TË DREJTAVE

DIALOGU SI URË BASHKËPUNIMI: THIRRJE PËR PËRGJEGJËSI DHE AVANCIM TË TË DREJTAVE

SHPËRNDAJE

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, zhvilloi një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj, në të cilin u theksua nevoja për një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve. Pavarësisht sfidave të vazhdueshme, bashkëbiseduesit u pajtuan se intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh mbetet kyç për stabilitetin dhe përmirësimin e pozitës së komunitetit shqiptar në Serbi.

Gjatë takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua krijimit të mekanizmave konkretë të bashkëpunimit, të cilët do të ndihmonin në avancimin e të drejtave dhe interesave të qytetarëve në të dy anët. U nënvizua se dialogu i hapur dhe konstruktiv duhet të jetë themeli mbi të cilin ndërtohen zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata.

Megjithatë, ministri Berisha ngriti shqetësimin për mungesën e komunikimit nga ana e Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, duke theksuar se refuzimi i dialogut nuk kontribuon në përmirësimin e gjendjes së qytetarëve që përfaqësohen. Sipas tij, një qasje e tillë jo vetëm që nuk ndihmon, por edhe thellon sfidat ekzistuese dhe ngadalëson proceset e zgjidhjes.

“Dialogu është rruga e vetme e përgjegjshme dhe e qëndrueshme për trajtimin e çështjeve të hapura dhe për avancimin e të drejtave të pakicave. Ai nënkupton respekt të ndërsjellë, shkëmbim argumentesh dhe angazhim të përbashkët për zgjidhje në të mirë të qytetarëve”, u shpreh ministri Berisha.

Në përmbyllje, ai ritheksoi se institucioni që drejton mbetet i hapur për bashkëpunim dhe dialog në çdo kohë, duke bërë thirrje për një qasje më të përgjegjshme nga të gjithë akterët relevantë. Vetëm përmes komunikimit të ndërsjellë dhe vullnetit për bashkëpunim mund të kapërcehen sfidat dhe të ndërtohet një e ardhme më e qëndrueshme për të gjithë./Jetapress/