Ballina Aktuale MINISTRI BERISHA: UNITETI I KOMUNITETIT ROM – ÇELËSI PËR PËRPARIM TË QËNDRUESHËM

MINISTRI BERISHA: UNITETI I KOMUNITETIT ROM – ÇELËSI PËR PËRPARIM TË QËNDRUESHËM

SHPËRNDAJE

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, më 9 prill, mori pjesë në një aktivitet të organizuar me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, i cili u mbajt në Muzeun Etnografik në Beograd, në organizim të Shoqatës së Shkrimtarëve Romë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Berisha theksoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm institucional për përmirësimin e pozitës së komunitetit rom, duke nënvizuar se uniteti dhe solidariteti janë faktorë kyç për përparimin e tyre të mëtejmë.

Në këtë kontekst, ai rikujtoi vizitën e tij në Shkollën Fillore “Sutjeska” në Zemun, ku, sipas tij, përmes bashkëbisedimit me nxënës dhe mësimdhënës, ka vërejtur një nivel gjithnjë e më të lartë të bashkimit brenda komunitetit rom.

“Çfarë kam parë në terren është inkurajuese – romët sot janë më të bashkuar se më parë, më të vetëdijshëm për të drejtat e tyre dhe të gatshëm të punojnë së bashku për përmirësimin e pozitës së tyre në shoqëri”, deklaroi ministri Berisha.

Ai shtoi se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror do të vazhdojë të angazhohet në avancimin e të drejtave dhe rritjen e përfshirjes sociale të komunitetit rom./Jetapress/