Ballina Aktuale ME RASTIN E PËRVJETORIT TË MOBILIZIMIT TË DHUNSHËM NË TËRNOC

ME RASTIN E PËRVJETORIT TË MOBILIZIMIT TË DHUNSHËM NË TËRNOC

SHPËRNDAJE

Editoriali

Po shënohen 27 vite nga një prej ngjarjeve më të rënda dhe më domethënëse në kujtesën kolektive të banorëve të Tërnocit – Mobilizimi i dhunshëm i 23 dhe 24 prillit 1999. Në kulmin e fushatës ajrore të NATO-s dhe në një kohë pasigurie të thellë, Ushtria e atëhershme jugosllave kreu dëbimin me forcë të banorëve nga shtëpitë e tyre, duke i grumbulluar në mënyrë të dhunshme në vendin e quajtur “Zidi”, mbi fshat.

Pa dallim moshe, gjinie apo gjendjeje shëndetësore, fëmijë, gra, burra, pleq, të sëmurë e të pafuqishëm u përballën me një realitet të rëndë, të cilin historia nuk mund ta fshijë lehtë nga kujtesa e saj. Kjo ishte një periudhë e frikës, pasigurisë dhe dhunës së hapur, që synonte jo vetëm kontrollin fizik, por edhe thyerjen e vullnetit kolektiv të një populli për të qëndruar në vatrat e veta stërgjyshore.

Megjithatë, përballë këtij presioni të madh, Tërnoci dëshmoi një qëndresë të rrallë qytetare. Pikërisht atëherë kur eksodi drejt Maqedonisë dhe vendeve të tjera dukej i pashmangshëm, mobilizimi i dhunshëm u shndërrua në një pikë kthese, duke i dhënë fund shpërnguljes masive dhe duke e ndalur një dramë të thellë humanitare.

Në kujtesën e këtyre ngjarjeve mbetet i gjallë edhe rrëfimi i një prej dëshmitarëve dhe protagonistëve të asaj kohe, Myftiu Nexhmedin Saqipi, sot Reisu-l-Ulema i Bashkësisë Islame të Serbisë, i cili atëherë qëndroi në ballë të kolonës së të mobilizuarve.

“23 dhe 24 prilli i vitit 1999 nuk mund të harrohen lehtë nga ata që e përjetuan tmerrin e mobilizimit të dhunshëm, i cili për banorët e Tërnocit dhe rrethinës ishte sinonim i frikës dhe dhunës së paparë. Me qindra e mijëra njerëz, jashtë vullnetit të tyre, u detyruan të braktisin shtëpitë dhe u grumbulluan në vendin e quajtur ‘Zidi’, pa e ditur se çfarë i priste më tej. Megjithatë, pikërisht të mobilizuarit e dhunshëm u bënë ata që i thanë ‘ndal’ shpërnguljes së popullatës drejt Maqedonisë dhe më larg”, thekson Reisu-l-Ulema Nexhmedin ef. Saqipi.

Ai gjithashtu nënvizon rëndësinë e kujtesës institucionale të këtyre ngjarjeve, duke theksuar se përvjetorët e tillë nuk janë vetëm rikujtim i së kaluarës, por edhe obligim moral për të ardhmen.

“Pa e përkujtuar të kaluarën, nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen,” shprehet ai, duke i dhënë një dimension të thellë reflektues këtij kujtimi historik.

Sot, 27 vite më vonë, Mobilizimi i dhunshëm në Tërnoc mbetet një plagë e kujtesës, por edhe një dëshmi e gjallë e qëndresës, dinjitetit dhe mbijetesës kolektive të një komuniteti që nuk u thye përballë dhunës, thuhet në Editorialin e Jetapress-it.