Ballina Aktuale Presheva në qendër të bisedimeve mes Trupit Koordinues dhe ministrit Demo Berisha

Presheva në qendër të bisedimeve mes Trupit Koordinues dhe ministrit Demo Berisha

SHPËRNDAJE

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, Nenad Mitroviq, është takuar me ministrin për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, për të diskutuar mbi përmirësimin e pozitës së pakicave kombëtare, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe realizimin e projekteve prioritare zhvillimore në Luginën e Preshevës.

Sipas njoftimit të Trupit Koordinues, gjatë takimit Mitroviq e informoi ministrin për zbatimin e fushatës informuese lidhur me pasivizimin e adresave, e cila po realizohet në kuadër të Planit të Veprimit për ushtrimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029.

Ai gjithashtu e njoftoi Berishën me rezultatet e takimit të zhvilluar së fundmi me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ku janë paraqitur kërkesat e këtij institucioni. Mitroviq kërkoi mbështetjen e ministrit për organizimin e një takimi të përbashkët ndërmjet Ministrisë, Trupit Koordinues dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, me qëllim shqyrtimin e çështjeve të hapura dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm për zgjidhjen e tyre.

Në fokus të bisedimeve ishin edhe projektet infrastrukturore në komunën e Preshevës. Mitroviq theksoi nevojën për përshpejtimin e realizimit të projekteve jetike, duke vlerësuar se ato janë të domosdoshme për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të komunës. Ai kërkoi mbështetjen e ministrit Berisha në koordinimin me institucionet kompetente shtetërore për avancimin e këtyre projekteve.

Nga ana e tij, ministri Demo Berisha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve republikane, Trupit Koordinues dhe përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke vlerësuar se dialogu i hapur mbetet çelësi për zgjidhjen e çështjeve me interes për qytetarët dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

Në përfundim të takimit, palët u dakorduan të vazhdojnë komunikimin dhe aktivitetet e përbashkëta me synim zgjidhjen sa më efikase të çështjeve me rëndësi për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, si dhe zbatimin e politikave të Qeverisë së Serbisë për përmirësimin e pozitës së pakicave kombëtare, thuhet në njoftimin e Trupit Koordinues.