Ballina Aktuale Vuçiç del kundër ministres së tij: Serbia kurrë nuk duhet të mbështesë...

Vuçiç del kundër ministres së tij: Serbia kurrë nuk duhet të mbështesë spastrimin etnik, pikë

SHPËRNDAJE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është distancuar nga deklarata e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Duke folur para gazetarëve në Kiev, Vuçiç e cilësoi deklaratën e ministres si të pakujdesshme dhe të papërgjegjshme, duke theksuar se ajo nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të presidencës dhe qeverisë serbe.

“Kjo deklaratë nuk pasqyron vullnetin dhe politikën e presidentit apo të Qeverisë së Serbisë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm. Politika jonë është dialogu, kompromisi, paqja dhe stabiliteti, kurrë spastrimi etnik, pikë”, deklaroi Vuçiç.

Kreu i shtetit serb u përpoq kështu të distancohej nga retorika e ministres së tij, e cila shkaktoi reagime të shumta për shkak të promovimit të dëbimit me forcë të shqiptarëve nga Kosova.

Paunoviç kishte deklaruar se, po të kishte qenë në pozitën e Millosheviçit, do ta kishte kryer spastrimin etnik të Kosovës që në vitin 1998. Pas reagimeve, ajo pretendoi se me këtë shprehje kishte nënkuptuar dëbimin e shqiptarëve nga territori i atëhershëm i Serbisë.