Ballina Aktuale PDK-ja dhe Aleanca mblidhen në Kuvend

PDK-ja dhe Aleanca mblidhen në Kuvend

SHPËRNDAJE

“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

PDK-ja ka kërkuar që seanca të thirret pa vonesa dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të tyre.

Edhe deputetët e Aleancës do të qëndrojnë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i kësaj partie, Besnik Tahiri, ka thënë se do t’u bashkohen deputetëve të PDK-së, të cilët kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë në sallën plenare prej orës 11:00, derisa edhe ata i kanë bërë thirrje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës.

“Siç e dini PDK-ja ka thirrë seancë në orën 11:00 dhe Aleanca do të marrë pjesë. Tash është informata që mediat nuk po lejohen të marrin pjesë në seancë. Nuk e dimë se qysh e pse. Mirëpo mungesa e transparencës dhe qasja që e kemi nga LVV-ja është duke e çuar shtetin e Kosovës në humnerë”, ka thënë Tahiri.

Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.

Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja, ndërkohë që deputetët pritet të rikthehen sërish në përpjekje për konstituimin e Kuvendit, në një proces që është kusht për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Deputetja dhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka pasur një fjalim brenda sallës së Kuvendit ku ishin të pranishëm disa mërgimtarë, e nga ku kërkoi që të thirret vazhdimi i seancës konstituive.

Në momentin kur Çitaku po mbante fjalim e pranishme ishte edhe ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu.

Deputetja u shpreh se “ne këtu jemi deputetë të zgjedhur, por dyert për ne janë të mbyllura”. Në këtë moment i ndërhyri Haxhiu, duke ironizuar “të hapura, të hapura janë”.

“Po më vjen mirë që janë hapur për juve. Kuvendi nuk është thjesht objekt, nuk është ndërtesë me tulla, është institucion. Kam qenë në këtë ulëse e ulur ditën kur u shpall Pavarësia e Kosovës. Është derdh gjak, mund, djersë, sakrificë që Kosova me pas institucione. Nuk guxojmë me u sill sikur s’po ndodh asgjë”, u shpreh Çitaku, teksa një zë pas saj bënte thirrje për ta ftuar seancën nga kryesuesi Avni Dehari./Paparaci/