Ballina Aktuale BUJANOC – TRIBUNË PËR DIALOGUN NDËRKULTUROR DHE RUAJTJEN E IDENTITETIT TË PAKICAVE

BUJANOC – TRIBUNË PËR DIALOGUN NDËRKULTUROR DHE RUAJTJEN E IDENTITETIT TË PAKICAVE

SHPËRNDAJE

5Bujanoc, 28 gusht 2026 – Dialogu ndërkulturor, ruajtja e identitetit të pakicave kombëtare dhe forcimi i mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve ishin në fokus të një tribune të organizuar të enjten në Shtëpinë e Kulturës “Vuk Karaxhiq” në Bujanoc.

Tribuna u organizua nga Shoqata e Gazetarëve “Etika”, në kuadër të projektit “Dialogu ndërkulturor dhe ruajtja e identitetit të pakicave kombëtare në jug të Serbisë: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, i mbështetur financiarisht nga Ministria e të Drejtave të Njeriut, Pakicave dhe Dialogut Shoqëror.

Punimet e tribunës i hapi kryetari i Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, Nexhmedin Saqipi, i cili në fjalën e tij përshëndeti praninë e ministrit të të Drejtave të Njeriut, Pakicave dhe Dialogut Shoqëror, Demo Berisha, ushtruesin e detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Nenad Mitroviq, drejtoreshën e Shtëpisë së Kulturës, Albena Mustafa, si dhe pjesëmarrësit e tjerë.

Saqipi theksoi se projekti synon të promovojë identitetin kulturor, traditën dhe vlerat e përbashkëta, duke krijuar njëkohësisht hapësira të reja për dialog, mirëkuptim dhe bashkëpunim ndërmjet komuniteteve.

“Përmes aktiviteteve kulturore, edukative dhe mediatike, ne dëshirojmë të krijojmë më shumë hapësira për komunikim dhe bashkëpunim, sepse besojmë se kultura është një nga urat më të fuqishme që lidh njerëzit. Prandaj, ky projekt nuk është vetëm për një komunitet, por për të gjithë qytetarët e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës”, tha Saqipi.

Berisha: Diversiteti kulturor është potencial zhvillimor

Ministri Demo Berisha vlerësoi se dialogu ndërkulturor ka rëndësi të veçantë për integrimin e pakicave kombëtare në jetën shoqërore, duke garantuar në të njëjtën kohë ruajtjen e identitetit të tyre kulturor, gjuhësor dhe kombëtar.

Sipas tij, diversiteti i komuniteteve që jetojnë në jug të Serbisë duhet të shihet si vlerë dhe potencial për zhvillimin e shoqërisë.

“Pasuria e traditës, gjuhëve dhe trashëgimisë kulturore në jug të Serbisë duhet të shihet si një potencial zhvillimor i shtetit tonë dhe kurrsesi si shkak për ndarje në shoqëri”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se synimi duhet të jetë ndërtimi i një shoqërie ku secili komunitet ka të drejtë ta ruajë dhe kultivojë identitetin, gjuhën dhe kulturën e vet, duke qenë njëkohësisht pjesëmarrës i barabartë në të gjitha rrjedhat shoqërore.

Mitroviq: Më shumë njohje, miqësi dhe besim

Punimet e tribunës i përshëndeti edhe Nenad Mitroviq, ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Mitroviq u ndal te rëndësia e aktiviteteve që synojnë afrimin e komuniteteve, duke vlerësuar se iniciativa të tilla kontribuojnë në njohjen më të mirë të kulturave dhe traditave të ndryshme.

Në këtë kontekst, ai veçoi nevojën për “më shumë miqësi, më shumë mirëkuptim dhe më shumë besim ndërmjet njerëzve”.

Hyseni: Dialogu ndërkulturor nuk është luks, por domosdoshmëri

Në tribunë foli edhe përfaqësuesi i Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, Sevdail Hyseni, i cili e vlerësoi projektin si një nismë me rëndësi të veçantë për hapësirën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Hyseni theksoi se kultura nuk duhet parë vetëm si trashëgimi e së kaluarës, por edhe si një mënyrë për të ndërtuar marrëdhënie më të mira në të ardhmen.

“Në një mjedis ku jetojnë komunitete të ndryshme, dialogu ndërkulturor nuk është luks, por domosdoshmëri. Të njohësh kulturën e tjetrit nuk do të thotë të heqësh dorë nga identiteti yt. Përkundrazi, një shoqëri e shëndoshë është ajo ku secili komunitet e ruan gjuhën, traditën, kulturën dhe kujtesën e vet, ndërsa njëkohësisht respekton dhe njeh identitetin e tjetrit”, tha Hyseni.

Sipas tij, pikërisht në këtë bashkëjetesë të identiteteve dhe në respektin reciprok qëndron rëndësia e dialogut ndërkulturor.

Kultura si hapësirë e përbashkët

Tribuna në Bujanoc solli në një hapësirë të përbashkët përfaqësues të institucioneve, organizatave kulturore dhe të sektorit të medias, duke hapur diskutim mbi mënyrat se si dialogu ndërkulturor mund të shndërrohet në një praktikë të qëndrueshme shoqërore.

Përmes aktiviteteve kulturore, edukative dhe mediatike, projekti synon të krijojë mundësi të reja për komunikim ndërmjet komuniteteve dhe të promovojë vlerat e përbashkëta, duke respektuar njëkohësisht veçantitë identitare të secilit.

Në një hapësirë multietnike si jugu i Serbisë, mesazhi i tribunës ishte i qartë: ruajtja e identitetit dhe respektimi i identitetit të tjetrit nuk janë procese kundërshtuese, por mund të jenë themeli i një shoqërie më të hapur, më të barabartë dhe më bashkëpunuese.

Projekti do të vazhdojë me aktivitete të tjera kulturore, edukative dhe mediatike në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, njofton Jetapress.