Ballina Aktuale Pse po na habit PISA? A nuk e krijuam vetë këtë realitet?

Pse po na habit PISA? A nuk e krijuam vetë këtë realitet?

SHPËRNDAJE

Nga Imrane R. Morina

Rezultatet e dobëta të vendeve të Ballkanit në PISA nuk duhet të shpjegohen vetëm me mënyrën se si mësohet në shkollë apo me nivelin e nxënësve. Mendoj se kemi përballë një problem më të thellë shoqëror: ka ndryshuar perceptimi ndaj të mësuarit dhe ndaj vlerës së dijes.
Dhe ky ndryshim nuk ka ndodhur përnjëherë dhe vetvetiu.
Politizimi, mungesa e meritokracisë dhe ndryshimi i tregut të punës kanë ndikuar gradualisht në mënyrën se si të rinjtë e perceptojnë arsimin, dijen dhe suksesin profesional.
Nëse një i ri sheh se suksesi nuk përcaktohet gjithmonë nga dija, kompetenca dhe merita, por edhe nga lidhjet, politika, nepotizmi apo faktorë të tjerë, natyrshëm mund t’i lindë pyetja: “Pse duhet të investoj kaq shumë në dije?”
Dhe këtu fillon problemi.
Të rinjtë nuk mësojnë vetëm nga librat dhe mësuesit. Ata mësojnë edhe nga shoqëria që i rrethon dhe nga ajo që shohin çdo ditë. Kur shoqëria nuk e lidh mjaftueshëm suksesin me kompetencën, edhe motivimi për të investuar në kompetencë mund të dobësohet.
I riu nuk mëson vetëm atë që i kërkohet në shkollë; ai mëson edhe nga ajo që shoqëria i dëshmon se vlen.
Kështu, dija mund të fillojë të shihet jo më si vlerë dhe investim afatgjatë, por në mënyrë instrumentale: mësoj atë që më duhet për provim, për diplomë, ose për profesion.
Ajo që nuk u duhet drejtpërdrejt mund të perceptohet si e panevojshme.
Dhe kur të mësuarit kthehet në një mjet për të arritur një rezultat, gradualisht mund të humbasë dëshira për të kuptuar, për të pyetur dhe për të menduar përtej asaj që kërkohet.
Në të njëjtën kohë, bota e punës po kërkon gjithnjë e më shumë aftësi për zgjidhjen e problemeve, kreativitet, përshtatje, komunikim, analizë informacioni dhe mendim kritik.
Pra, kemi një mospërputhje: një sistem që mund të vazhdojë të shpërblejë memorimin, përballë një bote që kërkon aftësi për ta përdorur dijen.
Nxënësi nuk duhet të mësojë vetëm të japë përgjigjen e saktë, por të kuptojë pse ajo është e saktë, të analizojë informacionin, të dallojë argumentin nga opinioni dhe të ndërtojë një përgjigje të vetën.
Pikërisht këtu PISA bëhet më shumë se një rezultat. Ajo nuk mat vetëm sa informacion ka memorizuar një nxënës, por edhe aftësinë e tij për të kuptuar, analizuar, interpretuar dhe zbatuar atë që ka mësuar në situata konkrete.

Prandaj, kur rezultatet janë të dobëta, nuk mjafton të themi: “Nxënësit nuk mësojnë.” Duhet të bëjmë një pyetje më të vështirë: “Çfarë i kemi mësuar ata të mendojnë për dijen?”

Sepse të menduarit kritik nuk ndërtohet vetëm në klasë.
Ai ndërtohet edhe nga kultura shoqërore.
Nëse fëmija sheh se merita, kompetenca dhe dija nuk janë gjithmonë rruga më e sigurt drejt suksesit, atëherë nuk mund të presim që ai ta perceptojë arsimin vetëm si investim në dije dhe zhvillim personal.
Prandaj, problemi është më i gjerë se shkolla.
Kultura e meritës në shoqëri ndikon edhe në kulturën e të mësuarit te fëmijët.
Ndoshta kjo është arsyeja pse PISA nuk duhet të na habisë.
Në rezultatet e nxënësve po shohim edhe pasqyrimin e një realiteti që e kemi ndërtuar vetë gradualisht.
Sepse një shoqëri që e dobëson vlerën e meritës, kompetencës dhe dijes, nuk mund të presë që shkolla të prodhojë një brez që i beson verbërisht këtyre vlerave.
Nëse arsimi reduktohet në logjikën “mëso vetëm atë që të duhet”, atëherë në nuk po ndërtojmë një brez që di të mendojë.
Por po ndërtojmë një brez që di të kalojë një provim.