Ballina Aktuale APN nominon Levent Qazimin kandidat për kryetar të Këshillit Kombëtar Shqiptar

APN nominon Levent Qazimin kandidat për kryetar të Këshillit Kombëtar Shqiptar

SHPËRNDAJE

Alternativa për Ndryshim (APN) ka nominuar sonte Levent Qazimin si bartës të listës dhe kandidat për kryetar të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH).
Nominimi u bë nga subjekti politik Alternativa për Ndryshim, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme për Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Njoftimin e ka bërë Arbër Pajaziti, kryetari i APN-së.
Postimi i plotë nga Arbër Pajaziti:

Sonte, nga subjekti ynë politik, Alternativa për Ndryshim, kemi nominuar Levent Qazimin si bartës të listës dhe kandidat për kryetar të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH),

Çdo fjalë për personalitetin e Leventit do të ishte e tepërt. Përveç trashëgimisë së tij historike dhe patriotike, ai ka dëshmuar pjekuri të lartë politike e institucionale. Mbi supet e tij ka bartur shumë angazhime dhe përgjegjësi, të cilat i ka përmbushur me sukses, përkushtim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie.

Me rikandidimin e Levent Qazimit, jo vetëm që i japim mbështetje një figure me vlera të dëshmuara, por edhe kontribuojmë në korrigjimin e padrejtësisë që iu bë në zgjedhjet e kaluara për KKSH-në.

Më 8 nëntor, vota jonë duhet të jetë një mesazh i qartë: ne votojmë për të ruajtur historinë dhe identitetin tonë kombëtar, por edhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për shqiptarët e Luginës.

Levent Qazimi përfaqëson lidhjen mes trashëgimisë sonë kombëtare, përvojës institucionale dhe vizionit për të ardhmen. Prandaj, më 8 nëntor, të bashkohemi rreth kësaj kandidature dhe ta mbështesim me votën tonë!