Ballina Intervista REISU-L-ULEMA NEXHMEDIN EF. SAQIPI: UNITETI NUK MATET ME FOTOGRAFI E DEKLARATA, POR...

REISU-L-ULEMA NEXHMEDIN EF. SAQIPI: UNITETI NUK MATET ME FOTOGRAFI E DEKLARATA, POR ME BESIM, PËRFSHIRJE DHE REZULTATE KONKRETE

SHPËRNDAJE

Biseda me shkas


Nga Jetapress


Reisu-l-Ulema Nexhmedin ef. Saqipi, përgëzon përfaqësuesit politikë për arritjen e marrëveshjes së përbashkët, por thekson se uniteti nuk mjafton të shpallet në tavolina e takime; ai duhet të dëshmohet me veprime konkrete, strategji të qartë dhe mobilizim brenda Serbisë.
Saqipi thotë se e ka përcjellë me vëmendje organizimin e Koalicionit Shqiptar të Unitetit dhe vlerëson se është dashur një mobilizim shumë më serioz në qytetet e Serbisë ku jetojnë shqiptarët. Sipas tij, duhej të hartohej një strategji e mirëfilltë për të zgjeruar mbështetjen dhe për të siguruar përfaqësim sa më të madh parlamentar. Ai e konsideron veçanërisht të gabuar lënien anash të komuniteteve rom, goran dhe ashkali, të cilat, sipas tij, është dashur të përfshihen në një qasje më gjithëpërfshirëse politike.
“Është naivitet të mos vlerësohet rëndësia e këtyre komuniteteve, kur dihet se sa kemi punuar për integrimin e tyre në komunën e Bujanocit, në Bashkësinë Islame, në jetën shoqërore dhe në institucionet e pushtetit lokal. Prandaj, nuk është e logjikshme që ata të lihen jashtë një bashkëpunimi më të gjerë, ndërkohë që partitë e tjera mund të kërkojnë mbështetjen e tyre elektorale”, thekson Saqipi.
Reisi Nexhmedin shpreh rezerva edhe për shpenzimet dhe kohën e kushtuar takimeve e fotografive në Kosovë, kur gara zgjedhore zhvillohet në Serbi.
“Përvoja më ka mësuar se votat në Serbi nuk sigurohen me fotografi, spektakle apo mbështetje të deklaruar nga jashtë. Ato fitohen me punë të drejtpërdrejtë me qytetarët, me program të qartë, platformë konkrete dhe strategji të besueshme. Duhet të dimë çfarë përfitimi real sjellin takimet me Kurtin, Tërnavën apo përfaqësues të tjerë, nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete për ta bindur elektoratin shqiptar në Serbi”, shprehet ai.
Saqipi rikujton se shqiptarët janë përfshirë në institucionet e Serbisë që nga viti 2002 dhe shtron pyetjen se sa herë duhet të përsëritet thirrja për integrim, pa u dëshmuar rezultatet e tij në jetën e qytetarëve.
“Integrimi i sinqertë duhet të ndërtohet nga brenda, jo nga jashtë. Betejat politike zhvillohen aty ku jeton populli, me popullin dhe për interesat e tij, e jo përmes takimeve simbolike dhe premtimeve që nuk përkthehen në rezultate.”
Në fund, Reisu-l-Ulema Nexhmedin ef. Saqipi përgëzon përfaqësuesit politikë për marrëveshjen e arritur dhe u uron sukses në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit. Megjithatë, ai shpreh shqetësimin se ndarjet dhe përçarjet e shfaqura brenda të njëjtit koalicion lidhur me zgjedhjet për Këshillin Kombëtar mund të ndikojnë negativisht në mobilizimin e elektoratit.
Ai u bën thirrje që unitetin e arritur ta ruajnë me seriozitet, përgjegjësi dhe veprime konkrete, në mënyrë që qytetarët të kenë arsye të besojnë dhe të dalin masivisht në zgjedhje.
Mesazhi i tij është i qartë: uniteti nuk matet me fotografi e deklarata, por me besim, përfshirje dhe rezultate konkrete për shqiptarët e Luginës së Preshevës./Jetapress/