Ballina Aktuale NË ISLAM NUK KA NACIONALIZËM – KUSH E PËRDOR FENË PËR INTERESA...

NË ISLAM NUK KA NACIONALIZËM – KUSH E PËRDOR FENË PËR INTERESA NACIONALISTE, E KEQINTERPRETON THELBIN E TIJ!

SHPËRNDAJE

Shkruan: Nexhmedin Saqipi

Islami nuk është fe nacionale, por universale. Ai nuk është shpikje e njeriut, por fe e shpallur nga Zoti. Prandaj, nuk mund të kufizohet brenda kufijve të një kombi, shteti apo interesi nacional. Kush përpiqet ta paraqesë Islamin si pronë të një kombi apo të një grupi të caktuar, e keqinterpreton thelbin e fesë dhe largohet nga parimet e bashkëjetesës dhe barazisë.

Bota demokratike sot mbështet shoqëritë multietnike, multifetare, multikulturore dhe multinacionale. Ndërsa ne nuk mund të kthehemi te teoritë e vjetruara, duke e përdorur fenë si instrument të nacionalizmit dhe të interesave të ngushta kombëtare.

Sa i përket Ceriqit dhe trashëgimisë së Rijasetit të ish-Jugosllavisë

Rijaseti i dikurshëm ishte institucion i përbashkët i Bashkësisë Islame të Jugosllavisë. Në zgjedhjet e tij merrnin pjesë delegatë nga të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë. Në këtë proces ishte zgjedhur edhe Jakup Selimovski nga Shkupi, si përfaqësues dhe kandidat nga Maqedonia.

Mirëpo, me fillimin e luftës në Bosnjë-Hercegovinë, ndodhi një kthesë e madhe institucionale. Pa konsultimin e bashkësive të tjera islame dhe pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse, drejtimi i institucionit të përbashkët u përqendrua në duart e strukturave boshnjake.

Ceriqi mori pozitën e Reisit të Bashkësisë Islame në Bosnjë-Hercegovinë, ndërsa Jakup Selimovski u largua nga drejtimi i institucionit të dikurshëm. Kjo shënoi një ndarje të rëndësishme nga trashëgimia institucionale e Rijasetit të ish-Jugosllavisë.

Nuk po flas nga hamendësimet, as nga ndonjë nostalgji institucionale. Në atë periudhë kam qenë student në Sarajevë dhe i kam njohur nga afër rrethanat, zhvillimet dhe rrjedhën e zgjedhjeve në Bashkësinë Islame të ish-Jugosllavisë. E di se si funksiononte përfaqësimi i delegatëve nga republikat e ndryshme dhe si u zgjodh Jakup Selimovski nga Shkupi.

Prandaj, nuk mund të pranoj që historia të rishkruhet sipas interesave të atyre që më vonë morën drejtimin e institucionit.

Shtrohet një pyetje e drejtë: A mundet një bashkësi islame ta trashëgojë e vetme një institucion të përbashkët, duke anashkaluar bashkësitë e tjera që kanë marrë pjesë në zgjedhjen, drejtimin dhe funksionimin e tij?

Për mua, këtu qëndron problemi i legjitimitetit institucional. Nuk mund të pretendohet vazhdimësi e plotë e një institucioni të përbashkët, nëse bashkësitë e tjera islame janë lënë jashtë procesit të vendimmarrjes.

Nuk duhet harruar se rrethanat politike dhe fetare kanë ndryshuar rrënjësisht. Rijaseti i dikurshëm i ish-Jugosllavisë nuk e ka më ndikimin institucional që kishte në të kaluarën, madje as brenda Bosnjë-Hercegovinës, e lëre më në hapësirën e dikurshme jugosllave.

Për më tepër, Bashkësia Islame e Bosnjë-Hercegovinës duhet ta trajtojë me drejtësi çështjen e trashëgimisë institucionale dhe pronësore të bashkësive të tjera islame, përfshirë Meshihatet. Duhet të shqyrtohen edhe kompetencat dhe pasuritë që, sipas pretendimeve të këtyre bashkësive, janë marrë apo përvetësuar gjatë dhe pas luftës në Bosnjë-Hercegovinë.

Nuk mund të fshihet një padrejtësi institucionale pas fjalës së bukur të unitetit. Uniteti nuk është mbulesë për përvetësimin e institucioneve, pronave dhe kompetencave të të tjerëve.

Unë nuk jam kundër unitetit islam. Përkundrazi, jam kundër përdorimit të unitetit si mbulesë për interesa të ngushta dhe për padrejtësi institucionale. Jam për transparencë, barazi dhe respektim të autonomisë së çdo bashkësie islame.

Prandaj, shqiptarët nuk duhet t’i marrin të gjitha deklaratat si të vërteta të pakontestueshme. Nuk janë të gjithë shqiptarët naivë dhe nuk mund të injorojnë zhvillimet historike, ndryshimet politike dhe realitetin e sotëm institucional.

Legjitimiteti nuk trashëgohet vetëm përmes emrit, ndërtesës apo historisë. Ai kërkon respektimin e vullnetit, të drejtave dhe autonomisë së të gjitha bashkësive që kanë qenë pjesë e një institucioni të përbashkët.

Të jetosh me nostalgjinë e një institucioni të dikurshëm nuk do të thotë se ai institucion vazhdon ta ketë fuqinë dhe autoritetin e dikurshëm.

Përndryshe, mbetemi peng të së kaluarës, të deklaratave boshe dhe të filmave të vizatuar!