Ballina Aktuale Trekëndëshi magjik, që lidh Tërnocin me Bujanocin

Trekëndëshi magjik, që lidh Tërnocin me Bujanocin

SHPËRNDAJE

Në periferi të qytetit të Bujanocit, rrugës kryesore, në drejtim të Tërnocit, gjendet një trekëndësh, që lidh natyrshëm këto dy vendbanime nga më të mëdhatë në nivel komune.

Zhvillimi i hovshëm infrastrukturor në mes Tërnocit dhe Bujanocit, përgjatë rrugës, ka bërë integrimin e këtyre vendbanimeve, që nuk dihet se ku fillon njëri e ku mbaron tjetri.

Trekëndëshi magjik, që gjendet në mesin e rrugës, ndonëse është pronë private, ai duhet t’i shërbej shoqërisë si një rreth-rrotullim, në mes këtyre dy vendbanimeve, duke u shndërruar në një sipërfaqe publike me interes shoqëror, për lehtësi të qarkullimit të makinave dhe njerëzve.

Qytetarët e Tërnocit dhe më gjerë, mendojnë se hapësira tokësore private, që gjendet brenda këtij trekëndëshi, do të ishte mirë të kompenzohet nga Komuna, Bashkësia Lokale e Tërnocit, ose donatorët vullnetmirë, në mënyrë që të ndërtohet ndonjë shesh me vlera kulturore e historike.

Rast konkret kemi qendrën e Tërnocit te Centrali, që është ngushtuar shumë dhe paraqet një vështirësi qarkullimi për qytetarët e tij. Për këso gabime ka bërë që shumë vendbanime të blejnë prona private, të rrëzojnë shtëpia, në mënyrë që të krijojnë rrethe lehtësuese për lëvizjen e qytetarëve.

Për të mos na u përsëritur gabimet e ngjashme, me një vullnet të pronarit të këtij trekëndëshi dhe autoriteteve të Bashkësisë Lokale të Tërncit dhe Komunës së Bujanocit, do të gjendej një zgjidhje e këndshme për realizimin e një projekti me interes vital për banorët e dy lokaliteteve më të mëdha në këtë rejon.

Fundi – fundit, kështu është vepruar edhe nga të parët tanë, kur pronat private për interes shoqëror janë dhuruar ose janë kompenzuar për ndërtimin e rrugëve, shkollave, ambulantave, objekteve fetare, varrezave etj.

Të gjitha këto institucione janë ngritur mbi pronat private, të cilat me një marrëveshje gojore ose me shkrim janë kthyer në prona publike me interes shoqëror, kombëtar e fetar.

Besojmë se me angazhimin e autoriteteve institucionale, partive politike dhe shoqërisë civile, do gjendet një zgjidhje e pëlqyeshme për të gjithë, në mënyrë që kjo pronë private të kompenzohet dhe të shndërrohet në një rreth-rrotullim, me interes shoqëror, njofton Jetapress.