Ballina Lajme Nga Rajoni BIK-u reagon pas sulmeve terroriste në Vjenë

BIK-u reagon pas sulmeve terroriste në Vjenë

SHPËRNDAJE

“Kush vret një njeri është sikur të ketë vrarë mbarë njerëzimin!”, me këtë citat nga libri i shenjtë Kurani Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar pas sulmit terrorist në Vjenë, ku mbetën të vdekur 5 persona dhe 15 të tjerë të plagosur.

BIK-u në reagimin e tij thotë se sulmi i së hënës në Vjenë është sulm mbi vlerat njerëzore, humane dhe hyjnore.

“Sulmi mbrëmë në Vjenë të Austrisë është atak mbi vlerat njerëzore, humane e hyjnore. Vepër e dënueshme dhe e papranueshme, që për qëllim ka frikën, shantazhin e kaosin, si dhe sfidimin e rendit dhe të ligjit”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se terroristët nuk përfaqësojnë asnjë vlerë e asnjë besim përveç krimit.

“Nuk duhet bërë asnjë kompromis me terrorin, sepse terroristët nuk përfaqësojnë asnjë vlerë e asnjë besim përveç krimit e terrorit. Terrori nuk ka fe, por ka ideologji, që ne nuk duhet pranuar e heshtur para tij”, thotë BIK-u, duke shprehur solidaritet me popullin austriak dhe familjet e viktimave.

Reagimi i Bashkësisë Islame përfundon me thënien e profetit Muhamed: “Mysliman është ai njeri nga dora dhe gjuha e të cilit njerëzit janë të sigurt”. /Zëri