Ballina Aktuale Myftiu Saqipi priti në takim përfaqësuesit e Ambasadës së Indonezisë

Myftiu Saqipi priti në takim përfaqësuesit e Ambasadës së Indonezisë

SHPËRNDAJE

Sot, në Beograd, në rezidencën e Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe zëvendës Reis, i këtij institucioni të lartë fetar, priti në një takim zyrtar përfaqësuesit e Ambasadës së Indonezisë, në mesin e të cilit ishte eprori i lartë i Atashesë, kolonel Trio, pastaj shefi i portokolit dhe Konsuli, Dairus Erlangga.

Gjatë këtij takimi miqësor Myftiu Saqipi, i njoftoi përfaqësuesit e Ambasadës së Indonezisë, për rrjedhat e organizimit fetar në Serbi, e posaçërisht në Luginë të Preshevës, për organizimin e lëndës fetare nëpër shkolla, si dhe për një varg veprimtarish të tjera me interes vendor dhe ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e Ambasadës së Indonezisë, shprehën një interesim të madh për të dëgjuar rreth zhvillimeve fetare në Serbi dhe rajon, duke çmuar lartë misioni e Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, në të cilin bënë pjesë edhe Meshiati i Luginës së Preshevës.

Vlen të ceket se shteti i Indonezisë, i cili konsiderohet si shteti më i madh i myslimanëve në botë, ka një traditë të gjatë e të pasur kulturore, përfaqësuesit e të cilit, të akredituar në Ambasadën indoneze në Beograd, shprehën gatishmëri për një bashkëpunim më të shpeshtuar midis institucioneve me karakter fetar, kulturor e informative, njofton Jetapress.