Ballina Aktuale Buxheti komunal i Bujanocit në favor të medieve partiake

Buxheti komunal i Bujanocit në favor të medieve partiake

SHPËRNDAJE

Bujanoc, 2 prill 2021 – Publikimi i rezultateve të konkursit për mediet në Komunën e Bujanocit ka zgjuar reagime të shumta qoftë nga spektri politik ashtu edhe nga ai joqeveritar, por edhe nga individë që merren profesionalisht me informimin, njërën nga sferat më të ndjeshme të shoqërisë sonë.

Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Bujanocit nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, Driton Rexhepi njëkohësisht këshilltar në asamblen komunale, ka reaguar pas publikimit të rezultateve për financimin e medieve lokale nga ana e buxhetit të Komunës. Ai është solidarizuar me mediet të cilat nuk kanë përfituar, apo kanë përfituar pak fonde, të cilat nuk janë të bollshme për zhvillimin normal të aktiviteteve informative.

“Solidarizohem me shqetësimin e përfaqësuesve të mediave Spektri , RTV Presheva Jeta Press dhe mediave lokale që prodhojnë lajme, për ndarjen jo të drejtë të fondeve nga ana e vetëqeverisjes lokale të Bujanocit”, ka shkruar Rexhepi, në rrjetin social “Facebook”, transmeton Jetapress.

Ai u ka bërë thirrje Komisionit gjegjës, që përmes rishikimit të vendimit të bëjë ndarjen e fondeve publike për mediat lokale përmes një procesi transparent dhe të drejtë. Gjithashtu, rezutatet e fundit i ka quajtuar “bajate dhe të rrezikshme” për avancimin e demokracisë.

“Tendenca për disciplinim të medias përmes kontrollit financiar, është sa bajate dhe e rrezikshme për avancimin e demokracisë edhe në rrethanat tona” ka përfunduar Rexhepi.

Gjithashtu, drejtuesi i Alternativës për Ndryshim në Bujanoc, Arbër Pajaziti, një vendim të tillë e ka vlerësuar si turpin e radhës të këtij pushteti.

“Pushteti lokal në Bujanoc dita-ditës po dëshmon se e ka humbur rrugën keq dhe se është futur në një humnerë nga e cila shumë zor e ka që të nxirret. Derisa vitin e kaluar të gjitha mjetet për media u çuan në asfalt, këtë vit ata që vërtetë merren me informim vetëm se u nënçmuan” ka shkruar Pajaziti në rrjetin social “Facebook”.

Reagimet ndaj këtij vendimi me siguri se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen derisa komisioni komunal për ndarjen e buxhetit për mediet, të vetëdijesohet dhe të korrigjohet nga gabimet e njëanshme përmes të cilave është dëmtuar rëndë gjendja e informimit në Komunën e Bujanocit, raporton Jetapress.