Ballina Aktuale Kryeministrja Bërnabiq: Ka shumë probleme në Preshevë dhe Bujanoc

Kryeministrja Bërnabiq: Ka shumë probleme në Preshevë dhe Bujanoc

SHPËRNDAJE

Kryeministrja Ana Brnabiq, përfundoi vizitën e saj dy-ditore në Qarkun Pçinjit me një vizitë në Vranjë, por që nuk është takuar me drejtuesit e pushtetit lokal në Bujanoc. Jozyrtarisht bëhet e ditur se kryeministrja ka pasur takim me deputetin e partisë së presidentit Vuçiq, në Bujanoc me Nenad Mitroviq.

Kryeministrja Bërnabiq, gjatë qëndrimit të saj në Vranjë dhe Banjën e Vranjës, ka thënë se në këtë rajon “është bërë shumë, se ka ende punë për të bërë, por se ajo është e kënaqur sepse kushtet e jetesës së qytetarëve janë përmirësuar ndjeshëm“.

Ajo deklaroi se pret të kthehet në Vranje të paktën edhe një herë deri në fund të vitit, në mënyrë që të hapë një impant për trajtimin e ujërave të ndotura, një investim me vlerë 16 milion euro.
Në Banjën e Vranjës, ku po ndërtohet një nga komplekset hoteliere më moderne në Serbi, Kryeministrja Bërnabiq, tha "Ky projekt është i një rëndësie kapitale strategjike, jo vetëm për Banjën e Vranjës, por për të gjithë turizmin serb. 
 
Kompleksi hotelier në Banjën e Vranjës, do të kushtoj 90 milion euro, i cili do të punësojë 350 persona, do të ndërtohet në katër faza, e para prej të cilave përfshin një hotel 40,000 metra katrorë me 190 dhoma dhe ambiente të tjera, përfshirë një sallë kongresi që do të të jetë më i madhi në vendin tonë.
 
Derisa Kryeministrja Bërnabiq, në Rrethin e Pçinjit, prezantoi projekte me miliona euro, për Bujanoc dhe Preshevë, nuk premtoi asgjë, ngase sipas saj në këto dy komuna ka shumë probleme dhe se kjo ndodh sepse përfaqësuesit e serbëve nuk marrin pjesë në qeverinë lokale dhe nuk kanë një shans për të kandiduar për projektet e tyre.
 
"Vendbanimet ku jetojnë serbët nuk kanë furnizim me ujë ose kanalizim dhe nuk ka asnjë ide për t'u ndërtuar", tha Bërnabiq, duke shtuar se ajo do të fliste me Trupin Koordinues për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc rreth mënyrës se si këto probleme mund të zgjidheshin, njofton Jetapress.