Ballina Aktuale Vuçiqi tregon nëse do të pranonte që Kosova të paraqitej me simbole...

Vuçiqi tregon nëse do të pranonte që Kosova të paraqitej me simbole shtetërore në “Open Balkan”

SHPËRNDAJE

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka folur në lidhje me pjesëmarrjen e Kosovës me simbole shtetërore në “Open Balkan”.

I pyetur nga gazetarët në konferencën e përbashkët me Ramën dhe Zaevin në Tiranë, se nëse Kosova do të bëhej pjesë e “Open Balkan”, a do të ishte pjesë e bisedimeve me emrin dhe flamurin e saj, Vuçiqi megjithatë nuk u përgjigj direkt, ndërsa la të kuptohet se kjo nuk do të ishte e pranueshme për të, por se do të pranonte që përfaqësuesit e Kosovës të jenë pjesë e kësaj iniciative.

“Ne kemi pikëpamje të ndryshme për Kosovën. Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë pikëpamje të ndryshme në raport me këtë çështje. Natyrisht se Beogradi dhe Prishtina kanë pikëpamje të ndryshme, por kjo nuk është arsye që ne të mos flasim dhe nuk është arsye që dikush të mos jetë pjesë e Ballkanit të Hapur. Vendkalimet administrative në Jarinje dhe Bërnjak mund t’i quajmë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qendrore, ju mund t’i quani kufijtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ose ndërmjet Luginës së Preshevës siç thoni ju dhe Serbisë qendrore siç themi ne… Por le të flasim për thelbin: a do të jetë më e lehtë për serbët dhe shqiptarët nëse nuk do të kishte të tillë kufij që njerëzit të lëviznin lirshëm? Nuk besoj që ka njeri në Prishtinë, Mitrovicë, Beograd apo Tiranë që nuk do të binte dakord me këtë. Nuk mendoj se do të ishte produktive për mua që t’i ftoj sepse në momentin që ftoj dikë nga Prishtina, sepse në momentin që ftoj dikë nga Prishtina do të thotë se meqë ai po e bën ftesën, unë do të vi. Por, nëse më pyesni në qoftë se do të kisha problem që ata të shfaqeshin, apo në qoftë se do të zgjidhnim statusin e çështjes politike, kjo është në juridiksionin e dialogut në Bruksel. Por, sa u takon çështjeve ekonomike dhe lirive të lëvizjes së lirive të mallrave dhe kapitalit dhe njerëzve, jemi të gatshëm të punojmë së bashku në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe nuk kemi asnjë problem për këtë”, tha Vuçiqi, duke ftuar edhe Malin e Zi dhe Bosnjën që t’i bashkohen kësaj iniciative, raporton Zeri.info.

Sipas Vuçiqit, ata që nuk pranojnë nismën do të humbasin kohë për t’u integruar në BE dhe për aq kohë sa “Open Balkan” mbështet vetëm urat e bashkëpunimit nuk ka nevojë t’i luten askujt që nuk tregon përgjegjësi apo seriozitet dhe fut në mes kapriçot politike. /Zëri/