Ballina Aktuale Lajçak: Duam që Kosova dhe Serbia ta lënë të kaluarën prapa e...

Lajçak: Duam që Kosova dhe Serbia ta lënë të kaluarën prapa e t’i normalizojnë marrëdhëniet

SHPËRNDAJE

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi dhe për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka thënë se BE-ja dhe SHBA-ja kanë bashkëpunim të ngushtë dhe kjo vizitë e përbashkët është dëshmi e kësaj.

Ai ka thënë se të dyja palët duan që Kosova dhe Serbia ta lënë të kaluarën prapa dhe t’i normalizojnë marrëdhëniet.

Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve jo vetëm që do të zgjidhë çështjet e pazgjidhura, por do të kontribuojë në stabilitetin në rajon dhe do të sjellë përfitime për qytetarët.

“Do të krijojë vende punë, do ta zhvillojë ekonominë. Dy ditët e kaluara kanë qenë shumë produktive. E kemi bërë të qartë se ne e respektojmë parimet e Kosovës në dialog. Ne po ashtu kemi thënë se ne kemi pritur progres më të shpejtë në dialog vitin e kaluar por shpresojmë që të jetë kështu këtë vit”, ka thënë Lajçaku në konferencën përmbyllëse të vizitës në Kosovë.

Ai ka shtuar se kanë të gjitha elementet që të presin një dialog më të shpejtë.

Sipas tij, dialogu nuk është çështje e Qeverisë, por është jetike për Kosovën.

Emisari i BE-së tha se edhe shoqëria civile mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces, nëpër të cilin po kalon Kosova.