Ballina Aktuale Ukraina sqaron se bisedimet me Rusinë po vazhdojnë

Ukraina sqaron se bisedimet me Rusinë po vazhdojnë

SHPËRNDAJE

16:13 – Më herët, parlamenti i Ukrainës tha se bisedimet me zyrtarët rusë në kufirin me Bjellorusinë kishin përfunduar.

Por pas kësaj, ata kanë sqaruar se zyrtarët ishin thjesht në një pushim dhe raundi i tretë i negociatave do të fillojë së shpejti.

“Bisedimet mes zyrtarëve rusë dhe ukrainas në kufirin me Bjellorusinë kanë përfunduar, sipas Parlamentit të Ukrainës”, raportoi më herët “Skynews”. /Zëri

15:44 –Përfundojnë bisedimet Ukrainë – Rusi

Bisedimet mes zyrtarëve rusë dhe ukrainas në kufirin me Bjellorusinë kanë përfunduar, sipas Parlamentit të Ukrainës, raporton “Skynews”.

Takimi kishte për qëllim arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm dhe tërheqjen e forcave ruse, tha më herët Presidenca ukrainase.

Nuk dihet akoma nëse ka përparime në këto bisedime. /Zëri

15:13 – Çfarë po ndodh në bisedimet për paqe?

Bisedimet po vazhdojnë në kufirin bjellorus midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas, raporton BBC.

Është hera e parë që palët takohen që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, por shpresat për një përparim nuk janë të mëdha.

Përpara takimit, Ukraina tha se donte një armëpushim dhe tërheqje të trupave ruse, ndërsa Kremlini tha se nuk do të shpallte qëndrimin e saj. Negociatorët e Rusisë kanë folur për arritjen e një marrëveshjeje që është në interes të të dyja palëve.

Delegacioni i Ukrainës përfshin ministrin e mbrojtjes Oleksiy Reznikov dhe zëvendësministrin e Jashtëm Mykola Tochytskyi.

Zëvendësministri rus i Mbrojtjes Aleksandër Fomin dhe ambasadori rus në Bjellorusi Boris Gryzlov, janë gjithashtu midis pjesë e delegacionit. /Zëri

14:52 – OBSH: Furnizimet me oksigjen në Ukrainë po mbarojnë

Furnizimet me oksigjen, për të trajtuar pacientët e sëmurë me COVID-19 dhe sëmundje të tjera kritike, janë duke u pakësuar në Ukrainë, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Kamionët nuk kanë qenë në gjendje të transportojnë furnizime nga fabrikat në spitale, çfarë do të thotë se rezervat e disponueshme mund të mbarojnë brenda 24 orëve të ardhshme.

Ukraina është nën pushtimin e plotë të Rusisë qysh më 24 shkurt.

Sipas monitoruesve të OKB-së, gati 100 civilë janë vrarë në luftime.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Ukrainë, shifrat e viktimave janë shumë më të larta.

OBSH-ja tha se po punon me partnerët për të marrë dërgesa urgjente të oksigjenit përmes Polonisë, shkruan Radioja Evropa e Lirë.

“Situata e furnizimit me oksigjen është afër një pike shumë të rrezikshme”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

OBSH-ja tha se disa fabrika prodhuese në Ukrainë po përballen gjithashtu me mungesë të zeolitit – një produkt kimik thelbësor, kryesisht i importuar, që nevojitet për të prodhuar oksigjen të sigurt mjekësor.

Shërbimet spitalore janë gjithashtu nën kërcënim nga mungesa e energjisë elektrike.

14:29 – Raportohet për dhjetëra të vrarë nga sulmet ruse në Kharkiv

Dhjetëra civilë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur gjatë bombardimeve të rënda ruse të qytetit lindor të Ukrainës, Kharkiv, thonë zyrtarët ukrainas.

Anton Herashchenko, një këshilltar i ministrit të brendshëm të Kievit, shkroi në Facebook se trupat e Moskës kishin bombarduar zonat e banuara me raketa, duke raportuar për dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur.

“E gjithë bota duhet ta shohë këtë tmerr! Vdekje pushtuesit!”, ka shkruar ai.

Shefja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, tha më herët sot se të paktën 102 civilë ishin vrarë, ndërsa 304 të tjerë u plagosën.

“Shumica e këtyre civilëve u vranë nga armë shpërthyese, duke përfshirë granatimet nga artileria e rëndë dhe sistemet e raketave me shumë lëshime dhe sulmet ajrore. Shifrat reale kam frikë se janë shumë më të larta”, tha Bachleti. /Zëri

13:00 – Ministri bjellorus mirëpret delegacionet ukrainase dhe ruse: Ndihuni plotësisht të sigurt

Image

Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Vladimir Makei, ka mirëpritur delegacionet nga Ukraina dhe Rusia për bisedime të hënën, duke i siguruar delegatët se ata duhet të ndihen “plotësisht të sigurt”.

“Të dashur miq, presidenti i Bjellorusisë më kërkoi t’ju uroj mirëseardhjen dhe t’ju siguroj gjithçka për punën tuaj, siç është rënë dakord me presidentin Zelensky dhe presidentin Putin. Këtu mund të ndiheni plotësisht të sigurt. Kjo është detyra jonë e shenjtë”, tha Makei.

“Presidenti Lukashenko shpreson sinqerisht se gjatë bisedimeve të sotme do të jetë e mundur të gjenden zgjidhje për të gjitha çështjet e kësaj krize. Të gjithë bjellorusët po luten për këtë. Çdo propozim për organizimin e takimit të sotëm do të shqyrtohet dhe do të përmbushet plotësisht”, shtoi ai.

“Ne presim me padurim rezultatet”, shtoi ai.

Vendndodhja e saktë e bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës të hënën është mbajtur sekret për arsye sigurie. Bisedimet po zhvillohen në Bjellorusi, por i vetmi vend që është njoftuar është se ato janë në brigjet e lumit Pripyat në rajonin Gomel, afër kufirit Bjellorusi – Ukrainë. /Zëri

12:10 – Fillojnë bisedimet për paqe Rusi – Ukrainë

Në ditën e pestë pas hyrjes së forcave ruse në Ukrainë, delegacionet nga të dyja vendet kanë nisur bisedimet në Bjellorusi, që synojnë t’i japin fund luftës.

Zyra e presidentit ukrainas thotë se do të kërkojnë një armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqjen e forcave ruse.

Ndërkohë, Moska dëshiron të arrijë një marrëveshje, që do të ishte në interes të të dyja palëve, sipas negociatorit rus, Vladimir Medinsky.

Përpara fillimit të takimit, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u bëri thirrje trupave ruse t’i lënë armët dhe ftoi BE-në ta anëtarësojë Ukrainën në bllok. /Zëri

12:00 – Rusia thotë se do t’u mbijetojë sanksioneve të Perëndimit

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka folur sot në një konferencë për media, gjatë së cilës ai tha se Rusia planifikon të heqë sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore që kanë bërë që rubla të bjerë.

“Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë janë të vështira, por vendi ynë ka potencialin e nevojshëm për të kompensuar dëmin”, tha Peskovi të hënën.

Ai shtoi se “sot Putini do të angazhohet për çështjet ekonomike” dhe do të takohet me ministrat kryesorë, duke përfshirë ministrin e financave dhe guvernatorin e bankës qendrore.

Kjo vjen pasi Mbretëria e Bashkuar, së bashku me SHBA-në dhe BE-në, ndërprenë bankat ruse nga tregjet financiare në Perëndim, duke ndaluar marrëdhëniet me bankën qendrore, fondet shtetërore të investimeve dhe ministrinë e financave.

Si rezultat, Banka Qendrore e Rusisë ka dyfishuar normën bazë të interesit në 20% nga 9,5%.

Ajo shënon një përpjekje për të ndalur rënien e shpejtë të vlerës së monedhës ruse rubla kundrejt dollarit amerikan, e cila kërcënon të zhdukë fuqinë e saj blerëse dhe të shkatërrojë kursimet e rusëve të zakonshëm. /Zëri

11:33 – Ambasadori ukrainas: Rusia mendoi se do t’i prisnim me lule – çdo pushtues do të qëllohet me plumb në kokë

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Oleksandr Aleksandrovych, tha sot se “çdo pushtues në Ukrainë do të qëllohet me plumb në kokë”.

Aleksandrovychi shtoi se rusët prisnin që ukrainasit t’i prisnin me lule në duar dhe duart lart, por kjo nuk do të ndodhte.

“Qëllimi ynë është që ushtria ruse të tërhiqet nga i gjithë territori ukrainas, nuk kemi zgjidhje tjetër”, tha Aleksandrovychi si i ftuar në mediumin serb “TV Prva”.

“Kemi mbështetjen e Perëndimit, por edhe nga e gjithë bota. Asnjë shtet nuk e ka përkrahur këtë agresion. Çdo ditë ne në Ambasadë marrim mbështetjen e popullit serb që ofron ndihmë”, theksoi Aleksandrovychi dhe vazhdoi:

“Rusia është në luftë me ne për tetë vjet. Çdo pushtues në territorin tonë do të qëllohet me plumb në kokë”.

Mbi deklaratën e drejtuesit të emisionit se është një fjalor shumë i ashpër për një diplomat, ambasadori i Ukrainës në Serbi thotë se ai së pari, në këtë situatë, është shtetas i Ukrainës dhe vetëm më pas diplomat. Ai gjithashtu thotë se ka në plan të shkojë në Ukrainë dhe të marrë pjesë në mbrojtjen e vendit.

I pyetur nëse NATO i kishte mashtruar, Aleksandrovychi tha se kjo nuk është e vërtetë dhe se liderët e Aleancës kanë qenë të sinqertë me Ukrainën që në fillim dhe u kanë thënë se do t’i ndihmojnë por nuk do të hyjnë në Ukrainë dhe do të reagojnë prej andej.

“Që në fillim ata ishin të sinqertë me ne. Ne ishim ushtarakisht neutralë, nuk donim të anëtarësoheshim në NATO dhe kishim marrëdhënie të shkëlqyera me Rusinë, por tani Vladimir Putini do të jetë merita që donte që ne të anëtarësoheshim në NATO menjëherë”, tha ambasadori ukrainas në Serbi.

I pyetur nëse konflikti në Ukrainë është në të vërtetë një konflikt midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe se Ukraina është një kokë turku, ai tha se Ukraina ka qenë gjithmonë në anën e mbrojtjes së ligjit ndërkombëtar dhe kujton se e ka dënuar sulmet e NATO-s kundër Serbisë.

“Kjo është në të njëjtën kohë një luftë Rusi – Perëndim, por atëherë përse Rusia nuk është në luftë me Perëndimin? Manjatët rusë mbajnë para në Perëndim, ata kanë vila dhe jahte atje… Kjo është hipokrite”, shtoi ambasadori Aleksandrovychu.

Ambasadori tha gjithashtu se negociatat ndërmjet delegacionit rus dhe ukrainas është dashur të fillojnë sot rreth orës 10:30.

Presidenca ukrainase njoftoi mbrëmë se Kievi i pranoi negociatat me Rusinë dhe se ato do të mbaheshin pranë kufirit me Bjellorusinë. /Zëri

11:20 – Zelensky kërkon anëtarësim urgjent të Ukrainës në BE

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Bashkimit Evropian të hënën të pranojë urgjentisht Ukrainën në bllok.

“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të pranojë urgjentisht Ukrainën,duke përdorur një procedurë të re”, tha Zelensky në videomesazhin e tij të fundit, transmeton Zeri.info.

“Ne u jemi mirënjohës partnerëve që qëndruan me ne. Por qëllimi ynë është të jemi me të gjithë evropianët dhe të jemi të barabartë me ta. Jam i sigurt që e meritojmë. Jam i sigurt se është e mundur”, tha ai.

Zelenskiy tha se ai foli të dielën me presidentët e Portugalisë, Lituanisë, Francës dhe Polonisë, si dhe kryeministrat e Belgjikës, Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Mbështetja e koalicionit tonë kundër luftës është e pakushtëzuar dhe e paprecedentë”, shtoi Zelensky. /Zëri

10:56 – Rreth 422 mijë persona kanë ikur nga Ukraina, sipas UNHCR-së

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) thotë se po merr raporte për njerëzit që nuk po lejohen të hipin nëpër trena në Ukrainë.

Një zëdhënëse shkroi në Twitter se UNHCR-ja po shqyrton këtë raport dhe se 422.000 njerëz veçse janë larguar nga Ukraina për në vendet fqinje.

UNHCR-ja “i konsideron njerëzit që ikin nga vendi si refugjatë”, shtoi zëdhënësja Laura Padoan. Ajo bëri të ditur po ashtu se më shumë se 100.000 njerëz janë zhvendosur deri tani brenda Ukrainës. /Zëri

10:36 – Ukraina thotë se janë vrarë më shumë se 5000 ushtarë rusë

Ministria e Mbrojtjes e Kievit pretendon se më shumë se 5000 ushtarë rusë janë vrarë në katër ditët e para të luftimeve në Ukrainë.

Në një deklaratë të postuar në Facebook, zyrtarët ukrainas thanë se rreth 5,300 trupa ruse janë vrarë dhe pretendojnë se 191 tanke, 29 avionë luftarakë, 29 helikopterë dhe 816 transportues të personelit të blinduar janë shkatërruar nga forcat e Ukrainës.

BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, megjithëse Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar beson se Rusia ka pësuar humbje “të rënda” në fazat e fillimit të konfliktit.

Pretendimet pasojnë pranimet nga Ministria ruse e Mbrojtjes të dielën se forcat e saj kanë pësuar humbje, megjithëse zyrtarët nuk dhanë një shifër të saktë.

Ndërkohë, vëzhguesit e OKB-së thanë se kishin konfirmuar të paktën 94 vdekje të civilëve gjatë ditëve të para të luftimeve.

Sipas vëzhguesve, pushtimi kishte shkaktuar pasoja të rënda humanitare dhe se numri i viktimave mund të jetë dukshëm më i lartë. /Zëri

10:25 – Ukraina kërkon “armëpushim të menjëhershëm” dhe tërheqje të forcave ruse

Ukraina kërkoi një “armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje të trupave ruse” të hënën, ndërsa delegacioni i vendit mbërriti për bisedime me Rusinë në kufirin Ukrainë – Bjellorusi

Kjo u bë e ditur në një deklaratë nga presidenca ukrainase, shkruan CNN.

Delegacioni përfshin disa zyrtarë të rangut të lartë, por jo vetë presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky. /Zëri

10:09 – Delegacioni ukrainas mbërrin në kufirin bjellorus për bisedime me Rusinë

Delegacioni ukrainas ka mbërritur në zonën në kufirin Ukrainë – Bjellorusi për bisedime me Rusinë, njoftoi Presidenca ukrainase të hënën në mëngjes.

Sipas një deklarate, delegacioni përfshin, ndër të tjera, ministrin e Mbrojtjes Oleksiy Reznikovin, këshilltarin e shefit të Zyrës së Presidentit të Ukrainës Mykhailo Podoliakun dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Mykola Tochytskyi.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky nuk është pjesë e delegacionit, raporton CNN. /Zëri