Ballina Aktuale JEHONA, një tribunë e saktë e komunitetit shqiptar të Luginës së Preshevës

JEHONA, një tribunë e saktë e komunitetit shqiptar të Luginës së Preshevës

SHPËRNDAJE

 (Në vend të një bekimi për rrugën e ndritur të revistës JEHONA)

Të rritur në një vend ku ka shumë male, shumë gryka, lugina (seç më vijnë pranë në këto çaste vargjet e pavdekshëm të Naim Frashërit në poemën e tij “Bagëti e Bujqësi”) ka shumë  borë, në dimër motivi i JEHONËS na vjen si një lloj klithme me veten me zërat tanë e të miqve shumë më i fortë e drithërues se vajtimi i Ajkunës në Bjeshkët e largëta.

Na vjen si piskamë habertare për kuvendet e pajtimit, për odat e burrave, po dhe për thirrjet për luftëra. Mungonin trumbetat e luftërave, po zërat e jehonës ishim të më të fuqishëm. Ishte një ngarendje për t’u mbrojtur nga armiqtë e shumë që vinin të digjnin arat, djepet, magjet e bukëve, haurët e bagëtive, drapërinjtë e grurit, librat e pakët të kullave.

 Për ta dërguar më lart, më vjen dhe jehona e një artisti shqiptar me sukses botëror të Shkëmbi i Kavajës afër detit, si ai i Aleksandër Moisiut që e dërgonte si jehonë zërin e tij që do të mrekullonte artin e skenave të botës.

Tribuna

Më vjen mirë që shqiptarët e Bujanocit, Preshevës Medvegjës që 40 vite më parë gjetën një emër-simbol JEHONA për të shkruar një pjesë të historisë së tyre Për zërin e tyre të fortë të sinqertë. Në kohët që jetojmë, që dikush i quan dhe “kohë moderne”, e duam një zë, e duam një tribunë ku ta themi mendimin tonë ku të paraqesim të kaluarën tone, dhimbjet, zakonet, traditat, ëndrrat e së ardhmes. Nuk ka rëndësi sipërfaqja gjeografike ku njerëzit që jetojnë në të, e bëjnë Jehonën pjesë të zërit të tyre.

Historia e botës ka treguar se edhe vendet e vogëla, popujt me një numër të pakët njerëzish, mund të jenë po kaq kurajozë sa ata më të mëdhenjtë. Secili në këtë botë të madhe ka dhe duhet të ketë vendin e vet në tryezën e historisë dhe të së ardhmes.

Të vendosur gjeografikisht në territorin e një shteti tjetër, shqiptarët e Preshevës e kanë patur JEHONËN një vend ku kanë shpalosur idetë e tyre, problemet e tyre.

Fakti që JEHONA është bërë po kaq e dashur edhe në qytete të Kosovës si në Ferizaj, Gjilan, Prishtinë, Fushë Kosovë, Prizren tregon se të gjithë bashkëjetojnë shqiptarisht me të njëjtën frymë me të njëjtin dinjitet kombëtar. …Edhe sot mbahet mend ajo ditë. Me iniciativën e Prof. Skënder Gashit dhe dy ish-nxënësve të tij Prof. Sevdail Hyseni dhe Prof. Zaim Haliti nisi rrugëtimin JEHONA. Skënderi për shkak të Jehonës është larguar edhe nga puna ku ishte profesor në Gjimnazin “Sezai Surroi” në Bujanoc. Ai drejtoi katër numrat e parë si drejtor i Revistës, deri në frymëmarrjen e fundit të tij. Pas numrit të katërt drejtor i saj zgjidhet Zaim Haliti.

JEHONA ishte revista e parë në gjuhë shqipe në Kosovë Lindore që pastaj u quajt Lugina e Preshevës. Zaim Haliti e mori drejtimin që nga numri 5 deri në numrin 105. Në atë numër ajo pushoi së botuari.

Bashkëpunëtorët

JEHONA disa herë e ka ndërprerë botimin e saj, qoftë nga shteti, qoftë nga lufta dhe bombardimet, qoftë nga mungesat financiare. Gjatë viteve JEHONA hapi dyert për shumë intelektualë që iu bashkuan kësaj nisme. Ishin Mexhid Mehmeti, Llukman Halili, Abdulla Hamidi, Ferid Selimi, Nehat Salihu, Nexhmedin Saqipi, Shaip Kamberi, Metali Krasniqi, Jeton Ismaili, Xheladin Mustafa, Nehat Ramizi, Rafet Ademi e shumë të tjerë…

 Në faqet e kësaj reviste botuan dhe e përkrahën rrugën e saj shumë intelektualë të tjerë luginas, nga Kosova e nga Shqipëria. Botuan disa herë Rexhep Qosja, Ramiz Kelmendi, Agim Vinca, Faik Shkodra, Baftijar Kryeziu, Shukri Rahimi, Musa Limani e shumë të tjerë. U botuan në të intervista me Bardhyl London, Bedri Deden, Ibrahim Rugovën, Mark Krasniqin, Adem Demacin, Idriz Ajetin, Nexhat Daci e emra të tjerë të kulturës e politikës sonë. Është ndihmuar materialisht edhe nga disa donatorë artdashës, nga pak firma private të Luginës dhe një vit nga Komuna e Bujanocit.

Kam patur rastin në këto 20 vite ta njoh nga afër këtë revistë. Të bashkëpunoj me të në mjaft numra. Të njoh e të shkruaj për ata që e krijuan atë dhe që e mbajnë gjallë. Sa shumë dashuri e sa sakrificë është që të mbahet një revistë e tillë! Po edhe ia vlen të sakrifikohet ku mendojmë se brezat e ardhshëm do ta nderojnë punën e nismëtarëve e do ta dërgojnë më tej.

Rrugëtimi

 Nuk duhet të ketë pengesa që JEHONA të mbahet e gjallë. Kemi mjaft përvoja nga vitet e shekujt kur shqiptarët e mbarë trojeve kanë sakrifikuar për shkollimin e fëmijëve për breza. Ashtu si kemi mjaft raste kur janë vrarë mjaft mësues që kanë dashur të shpërndajnë gjuhën shqipe. Vetë Zaimi na tregon diçka për këtë rrugë:

-Në redaksi kam qenë nga numri i parë e deri te i fundit. Shpresojmë për një rifillim të ri nëse gjejmë përkrahje nga institucionet tona komunale, apo ato shqiptare. Jam krenar se në këtë rrugëtim kam patur dhe miq të mençur e shqiptardashës nga Prishtina të Shtëpisë Botuese ROZAFA dhe miqtë Sabit Jaha, Ramadan Mehmeti e Sali Bashota. Rrugëtim të mbarë në vite e shekuj JEHONËS! Nderim për ata që e krijuan, që e mbajnë dhe që mbushin faqet e tyre me shkronjë shqipe.

Namik Selmani, Boston, prill 2022