Ballina Aktuale Fitorja e kontestuar e Shaip Kamberit, në zgjedhjet parlamentare të Serbisë

Fitorja e kontestuar e Shaip Kamberit, në zgjedhjet parlamentare të Serbisë

SHPËRNDAJE

Edhe pse Shaip Kamberi, kandidat i mundshëm për Parlamentin e Serbisë, i siguroi votat në vendvotimin e përsëritur në Tërnoc, rezultatet përfundimtare nga ana e Këshillit Qendror Zgjedhor po zvarriten për shkak ankesave të shumta nga anëtarët e këshillit votues nga radhët e Partisë Socialiste të Daçiqit, për parregullsitë e shumta dhe javashllëkun e procesit zgjedhor.

Nga kjo po del se gëzimi i Kamberit dhe i Koalicionit që përfaqëson ishte i parakohshëm, të cilin po e vërteton edhe vet  në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, duke thënë se loja ende nuk ka mbaruar.

“Loja është ngritur në një fazë krejtësisht tjetër, ne jemi në një betejë për një mandat për arsye se pavarësisht zgjedhjeve të mbajtura në Tërrnoc dhe pavarësisht se arritëm të sigurojmë një mandat, dje SPS ka dorëzuar ankesë në komisionin komunal zgjedhor ku konteston rezultatin e zgjedhjeve me tendencë që të anulojë zgjedhjet në këtë vendvotim që do të na sjellë në një fazë të re politike, akoma nuk ka mbaruar loja”.

A sa i përket konstatimit të Kamberit se pavarësisht nga rezultatet përfundimtare të KQZ, vendimi përfundimtar i takon Gjykatës administrative, te e cila ai e sheh mbështetjen për mbrojtjen e votave të kontestuara. Por, Gjykata administrative nuk e ka lehtë të vendos kundër ankesë së PSS-së, partner i partisë së Vuçiqit, qoftë edhe për një deputet të pakicës shqiptare, kur rrezikohet kandidati i tyre i mundshëm.

Ndërsa sa i përket konstatimit të Kamberit se pa mbaruar zgjedhjet në këtë vendvotim, nuk do të mund të formohet qeveria e re dhe as nuk do të mund të konstituohet parlamenti serb, duke shtuar se  “Nga Tërrnoci varet komplet, sepse është vendvotimi i vetëm ku nuk ka përfunduar procesi zgjedhor dhe pa përfunduar ato nuk mund të formohet qeveria”, kjo nuk e shqetëson Beogradin zyrtar, sepse llogaria është në anën e atij, që humb pa në kohë, por del fitimtar, duke i lënë shqiptarët me gishta në gojë, ashtu siç po ndodh me procesin e masivizimit, integrimit dhe largimit të rinisë nga Lugina e Preshevës./Jetapress/