Ballina Aktuale Pse ngec regjistrimi i popullsisë në Bujanoc?

Pse ngec regjistrimi i popullsisë në Bujanoc?

SHPËRNDAJE

Nga: R.Rexhepi

Kanë mbetur edhe pak ditë deri te përfundimi i regjistrimit të popullsisë në Luginë të Preshevës. Sipas informatorëve nga terreni mësohet se ky proces i rëndësishëm shoqëror, në Komunën e Preshevës është duke shkuar më mbarë se sa në Bujanoc dhe Medvegjë.

Deri tani në Preshevë janë regjistruar mbi 50 mijë banorë, kurse në Bujanoc 45 mijë banorë e në Medvegjë, nuk ka shënime zyrtare nga terreni.

Në çdo periudhë të regjistrimit të popullsisë në Luginë të Preshevës, Komuna e Bujanocit ka pasur më shumë banorë se Presheva dhe Medvegja, duke marrë për bazë edhe regjistrimin e vitit 2011, të cilin shqiptarët e bojkotuan, por ekspertët ndërkombëtarë vlerësuan se Bujanoci ka pasur 38.300 banorë, Komuna e Preshevës 29.600 dhe Komuna e Medvegjës 7.442 banorë.

Pse tani na del se Presheva po prinë më shumë me banorë se Bujanoci ? A është në pyetje migrimi i popullsisë, apo javashllëku gjatë regjistrimit të banorëve? Në mediat lokale bëhet e ditur se në Komunën e Bujanocit procesi i regjistrimit të popullsisë po përcillet me problem të vogla.

Pavarësisht nga këto vlerësime udhëheqësia e Komunës së Bujanocit dhe ajo e Këshillit Nacional, gjatë kësaj periudhe të regjistrimit të popullsisë ka qëndruar një javë në Amerikë dhe më shumë kanë bërë propagandë për zgjedhjet në Këshillin Kombëtar Shqiptar e sa të sensibilizohet çështja e regjistrimit të popullsisë. Pra, liderët partiakë në Bujanoc, më shumë kanë harxhuar energji për fushatën e KSSH se sa për regjistrimin e popullsisë, kurse në Preshevë udhëheqësia komunale ka qenë më aktiv gjatë këtij procesi të rëndësishëm shoqëror, prandaj edhe sukseset nuk po mungojnë.