Ballina Aktuale Politizimi i regjistrimit të popullsisë konteston rezultatet e tij

Politizimi i regjistrimit të popullsisë konteston rezultatet e tij

SHPËRNDAJE

Sa më shumë po afrohet finalizimi i regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive shtëpiake në Luginë të Preshevës, aq më shumë po shtohet presionet e Beogradit për kontestimin e rezultateve të tij.

Për këtë presion nga kreu i shtetit në Beograd, fajet i ka një pjesë e klasës politike shqiptare e cila për vite me radhë ka krijuar një opinion të frikshëm se Lugina e Preshevës, po zbrazet në heshtje, duke lënë prapa zvogëlimin e banorëve shqiptarë, braktisjen e vendbanimeve dhe pasivizimin e tyre, zvogëlimin e numrit të nxënësve nëpër shkolla, boshatisjen e fshatrave përgjatë vijës kufitare me Kosovën e kështu me radhë.

Këto deklaratat e shpeshta nga drejtuesit e disa partive politike, të cilat më shumë se dy dekada qëndrojnë me një këmbë në pushtetin lokal e me tjetrën në pushtetin qendror e këto 12 vjetët e fundit edhe në Këshillin Nacional, me këto deklarata më shumë e kanë dëmtuar se sa e kanë ndihmuar çështjen kombëtare në Luginë të Preshevës.

Njerëzit duke dëgjuar për ditë paraqitjet e këtyre liderëve në opinion se vendi po rrezikohet nga braktisja në heshtje, krijoi një panik, frikë dhe pasiguri te qytetarët, të cilët mezi prisnin të largohen në perëndim për të siguruar paqe dhe mirëqenie sociale.

Me këto deklarata këta liderë provincialë mendonin se do ta dëmtojnë Beogradin dhe do ta alarmojnë bashkësinë ndërkombëtare për t’i bërë presion shtetit ku jetojnë shqiptarët për më shumë integrime, punësime dhe për më shumë kompetenca në qeverisjet lokale dhe qendrore.

Tani po këta liderë partiakë me të njëjtën retorikë bëjnë politikë me regjistrimin e popullsisë, një proces i rëndësishëm shoqëror, të cilin vetë dikur e bojkotuan, duke thënë ne jemi më shumë se shumë, duke u lavdëruar dhe duke kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria përkrahje morale dhe material në dalje masive në regjistrim.

Procesi i regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive shtëpiakë në Luginë të Preshevës është në fazën përfundimtare, por rezultatet e tij lëre që do të jenë kontestuese për Entin Statistikor Republikan të Serbisë, por edhe një motiv më shumë për të bërë propagandë nga këta liderë luginas, të cilët duke mbrojtur rezultate e regjistrimit, reklamojnë patriotizmin verbal në luftë për pushtet lokal e nacional deri në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë pas 11 vjetëve.