Ballina Aktuale Një mijë arsye pse duhet përsëritur zgjedhjet në KKSH

Një mijë arsye pse duhet përsëritur zgjedhjet në KKSH

SHPËRNDAJE

Zgjedhjet e reja në Këshillin Kombëtar Shqiptar, në Luginë të Preshevës, që u mbajtën të dielën e 13 nëntorit, nuk kaluan në frymën e demokracisë, rregullsisë dhe tolerancës. Ato, thjesht, e dëmtuan procesin votues, duke prishur vendvotimet dhe duke favorizuar komisionerët për veprime hajnie, shantazhi dhe kontrabande.

Nuk mbahet mend në historinë e zgjedhjeve të KKSH, prej se kur është themeluar ky institucion, të ketë pasur më shumë grabitje të votave se sa në këto zgjedhje.

Pavarësisht se në këto zgjedhje pati 5 lista zgjedhore, pa ndonjë koalicion partisht si më parë, ato intern u grupizuan se në cilat vendvotime të lejojnë për të votuar edhe pa qenë në listat votuese e diku edhe t’u ndërrohet vendvotimi votuesve për t’i hutuar ata, madje edhe për t’i irituar që mos të dalin në votime.

Nuk ka askund në botë, madje edhe në këtë Luginë të taksirateve, që të thyhet kutia e vendvotimit si në Samolicë e të njihen rezultatet e votimit, apo të votohet si në Konçul, një për dhjetë, ku nga 900 votuesit e regjistruar në listë, votojnë  700  persona me të drejtë vote.

Samolica e PVD dhe Konçuli i LPD, do të mbeten si shembull për të keq për t’u mbajtur mend se si nuk duhet votuar, nga në vendet me demokraci të zhvilluar, drejtuesit e këtyre vendvotimeve do të merrnin dënimin e merituar.

Ndonëse zgjedhjet në KKSH kanë qenë shqiptare, jo shumetnike, prandaj edhe janë zhvilluar shqiptarçe, kush si të mundet e kush si të dojë. Po sikur të kishte pasur vëzhgues nga OSBE-ja ose ndonjë organizatë tjetër monitorimi, kurrë nuk do të kishin lejuar parregullsi të tilla, të cilat jo vetëm që kanë dëmtuar procesin votues, por edhe e kanë prishur imazhin e këtij institucioni të lartë politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Duke pasur parasysh parregullsitë, vjedhjet e votave, njëanshmërinë e komesionerëve të vendvotimeve, si dhe rezultatet e zgjedhjeve, vështirë se do të gjendet ndonjë kompromis për formimin e një koalicioni të qëndrueshëm për formimin e qeverisjes së re të KKSH.

Prandaj, si të tilla këto zgjedhje në KKSH janë të dështuara, të humbura, nuk ka fitues, prandaj ato duhet të përsëriten, në mënyrë që mos të thellohet kriza në këtë institucion rreth formimit të qeverisje së re.

Këto veprime janë të dëmshme për demokracinë e aq më shumë për ne shqiptarët në Luginë të Preshevës, që jemi mërzitur e lodhur me përçarje, ndasi dhe hasmëri!