Ballina Aktuale Mesazh mirëseardhjeje …

Mesazh mirëseardhjeje …

SHPËRNDAJE

Nga Neki Kaloshi

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Të nderuar bashkëkombës!

Sonte, në prag të ardhjes dhe të tubimit të shtetarëve të lartë europianë në Tiranë, dua të përfitoj nga rasti e të them ca fjalë si një qytetar dhe udhëheqës fetar musliman.

Fjala ime në prag të kësaj ngjarjeje me peshë gjeopolitike dhe me mesazhe të rëndësishme u drejtohet modestisht atyre, si kujtesë për vendin ku do të gjenden të martën dhe për popullin që po i mirëpret. Mysafirëve europianë, që na nderojnë me vizitën në vendin tonë të vogël dhe të shumëvuajtur, dua t’u kujtoj se kalvari i këtyre vuajtjeve vijon prej dy qindvjeçarësh. Ky popull vuajti në fundin e shekullit të 19-të dhe në fillimin e shekullit të 20-të pasojat e dobësimit dhe rënies së Perandorisë Osmane, duke paguar, si periferi e saj, një çmim më të rëndë krahasuar me të tjerët. Shumë hoqi ai në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë nga ideologjia dhe diktatura e egër komuniste, privuar nga të drejtat themelore, me dinjitetin dhe virtytet e trashëguara ndër breza të nëpërkëmbura. Projektimi i njeriut të ri, që nuk besonte në shenjtërinë e besimit, të pronës, të moralit, të lirisë, dhe të së drejtës së zgjedhjes individuale të mënyrës së të jetuarit, ishte goditje dhe dëm kolosal, ende me pasoja dhe sot. Prej tridhjetë vitesh jetojmë në një periudhë postkomuniste, në një tranzicion të tejzgjatur, me bijtë e bijat më të mira të këtij kombi të ikur nga këto troje dhe të vendosur në vendet tuaja të begata, dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ju urojmë mirëseardhjen, një qëndrim të këndshëm në vendin tonë, dhe punime të mbara në tubimin tuaj në kryeqytetin tonë! Shpresojmë që vizita juaj të hapë një faqe të re për vendin tonë, të jetë parathënie e shpresës së ringjallur se edhe këtu mund të jetohet me dinjitet dhe me punë të ndershme. Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Falë Zotit, tradita e respektimit të mikut vazhdon të jetë e shenjtë!

Dashtë Zoti, e kthehet dhe shenjtëria e virtyteve tona të tjera të kahershme! Amin!