Ballina Aktuale Borrelli pas takimit me Kurtin: Situata në veri e rrezikshme, urgjent të...

Borrelli pas takimit me Kurtin: Situata në veri e rrezikshme, urgjent të tejkalohet përshkallëzimi

SHPËRNDAJE

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se situata në veri të Kosovës është e rrezikshme dhe se urgjentisht duhet të tejkalohet përshkallëzimi.

Këto komente Borrelli i bëri në një postim në Twitter, pas një takimi që kishte me kryeministrin Albin Kurti në Bratislavë së bashku me emisarin për dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Takova kryeministrin Albin Kurti në Bratislavë për të diskutuar për tensionet në veri të Kosovës. Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Ne kemi nevojë për depërshkallëzimin urgjent dhe një zgjidhje përmes Dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur”, shkroi Borrelli.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i mbrojti sërish veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Kurti tha në Bratislavë se Borrellit dhe Lajçakut ua ka bërë të qartë se do të kishte mirëkuptim nëse protestat e serbëve në veri do të ishin paqësore.

“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta. Por jo grupet me simbole ‘Z’ që sulmojnë policët e ushtarët e KFOR-it e gjuajnë granata e thërrasin ‘vrisni-vrisni’. Te këto grupe fashiste ne nuk mund ta dorëzojmë demokracinë tonë”, tha Kurti.