Ballina Lajme Nga Bota Erdogan intensifikon përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen për grurin ukrainas

Erdogan intensifikon përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen për grurin ukrainas

SHPËRNDAJE

Ndërsa udhëheqësit botërorë po marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po intensifikon përpjekjet për të shpëtuar marrëveshjen mbi eksportin e grurit të Ukrainës përmes Detit të Zi. Presidenti Erdogan ka shtuar përpjekjet për ta bindur Rusinë të rifillojë zbatimin e marrëveshjes.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të përpiqet të shfrytëzojë takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të shpëtuar marrëveshjen e eksportit të grurit të Ukrainës pas tërheqjes së Rusisë nga ajo. Zoti Erdogan, i cili ka lidhje të ngushta me Presidentin rus Vladimir Putin, ndërmjetësoi marrëveshjen e grurit vitin e kaluar së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.

“Turqia po luan një rol pozitiv, që po vlerësohet nga vendet e tjera. Kjo në një farë mënyre po justifikon qasjen e ekuilibruar të Turqisë. Nëse Turqia do të kishte pezulluar dialogun politik me Rusinë, Presidenti Erdogan nuk do të mund ta luante këtë rol. Pra, në një farë mënyre, ky angazhim i tij i ka zbutur kritikat ndaj qëndrimit të ekuilibruar të Turqisë”, thotë Ozgur Unluhisarcikli nga Fondi Gjerman Marshall.

Presidenti Erdogan u takua me homologun e tij rus Putin në fillim të këtij muaji dhe tha se ai do të paraqiste propozime në OKB për të ringjallur marrëveshjen e grurit.

Udhëheqësi turk ka shprehur simpati për thirrjen e Moskës për lehtësimin e sanksioneve për të lejuar eksportet ruse të grurit dhe për heqjen e kontrolleve financiare për të lejuar pagesat për eksportet e grurit.

“Me të drejtë, vendet perëndimore po tregohen të kujdesshme ndaj kërkesave të Putinit. Marrëveshja e grurit është çështja e fundit që Putini mund ta shfrytëzojë kundër asaj që ne mund ta quajmë arma ekonomike kundër Rusisë”, tha për Zërin e Amerikës studiuesi i Universitetit Kadir, Onur Isci.

Lidhjet e ngushta të Erdoganit me Putinin kanë acaruar marrëdhëniet e tij me Uashingtonin, gjë që do t’i komplikojë përpjekjet e udhëheqësit turk të bindë Presidentin amerikan Joe Biden për të bërë lëshime. Vëzhguesit thonë se zoti Erdogan do të kërkojë mbështetje nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres.

“Ne e dimë se marrëdhëniet midis Presidentit Erdogan dhe Presidentit Biden nuk janë të shkëlqyera. Presidenti Biden e ka të qartë se Erdogani është i vetëdijshëm që Turqia nuk mund t’i bindë e vetme Shtetet e Bashkuara për të bërë një lëvizje në këtë drejtim. Pra, mendoj se ai do të përpiqet të angazhojë Kombet e Bashkuara, për të bindur zotin Biden të bëjë lëshime kundrejt Rusisë”, thotë Mustafa Aydin nga Këshilli i Turqisë për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Përpjekjet diplomatike të Erdoganit pasojnë përpjekjet e Ukrainës për të eksportuar grurë përballë kërcënimeve ruse, duke rritur rrezikun e një përshkallëzimi të luftës atje.

“Rusia qëllimisht mund të përpiqet t’i bllokojë ato dhe mund të përshkallëzojë situatën. Atëherë nuk e dini se çfarë do të ndodhë. Pastaj konflikti mund të përhapet në Turqi ose në vende të tjera të Detit të Zi. Aktualisht konflikti është i kontrolluar”, thotë analisti Mustafa Aydin.

Për Erdoganin, vëzhguesit thonë se ruajtja e marrëveshjes së grurit do të shmangte rrezikun e urisë, rritjen e çmimit të ushqimeve dhe do të ndihmonte në heshtjen e kritikëve të lidhjeve të tij me Putinin. Kjo gjithashtu do të zvogëlonte rrezikun e një përshkallëzimi të konfliktit në Ukrainë.