Ballina Aktuale Kultura, arsimi, informimi, punësimi dhe integrimi, në shënjestër të diskriminimit permanent

Kultura, arsimi, informimi, punësimi dhe integrimi, në shënjestër të diskriminimit permanent

SHPËRNDAJE

VAZHDIM I ANKETËS ME QYTETARË…

Nuk thuhet kot se: gjuha, kultura, arsimi, informimi, janë karakteristika të veçanta të një bashkësie etnike, pa të cilat nuk ka zhvillim dhe përparim kombëtar. Si mund të mbrohet identiteti kombëtar i një komuniteti, nëse këto vlera kulturore, shkelen, injorohen dhe përbuzen nga shteti, ku ai jeton dhe vepron?

Shqiptarët në Luginë të Preshevës, prej kohësh janë të privuar nga e drejta për ta kultivuar në mënyrë dinjitoze gjuhë, kulturën, arsimin, informimin etj., duke u vënë përballë një diskriminimi antiqytetar, kinse në emër të një multietniciteti, i cili në vazhdimësi ata i ka diskriminuar dhe asimiluar në heshtje.

Anketa me qytetarë e realizuar nga Ekipi i Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, me titull: “Sa respektohen të drejtat e shqiptarëve në Serbi?”, nxjerrin në dritë një numër të madh diskriminimesh të shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë, Medvegjë dhe hapësira e tjera në Serbi, sa i përket mosrespektimit të gjuhës, kulturës, arsimit, informimit, punësimit dhe integrimit të shqiptarëve, në këto vendbanime autoktone.

Nga zërat e të anketuarve, shfaqet një iritim i papërmbajtur, qoftë kjo formë e diskriminimit, që vije nga organet shtetërore, por edhe nga ato lokale. Pushtetet e këtyre organeve qeverisëse, nuk kanë punuar sa duhet, që të mënjanohen këto dukuri diskriminuese, të cilat kanë arritur në një shkallë alarmi.

Pushtetit qendror në Serbi, përmes ministrive përkatësi bënë selektimin e njëanshme të projekteve, duke favorizuar ato që kanë për bazë multietnicitetin, e duke anashkaluar ato projekte të mirëfillta kombëtare. Ndërsa një dukuri e tillë negative vërehet të pushtetet lokale, të cilat favorizojnë projektet e militantëve partiakë, duke shkelur procedurat edhe kriteriumet e vlerave dhe përmbajtjen e tyre.

Nga buxhetet komunale dhe ato shtetërore edhe ato pak mjete, që ndahen për zhvillimin e  kulturës, arsimimit, informimit etj, nuk shkojnë në vijë të duhur, përkundrazi ato dedikohen për qëllime të tjera, të cilat edhe manifestohen me nepotizëm, familjarizim dhe mbi baza partiake.

Identiteti kombëtar

Në mesin e shumë problemeve me të cilat ballafaqohen pakicat kombëtare në shtetet multietnike, është nevoja e vetëdijesimit të shoqërisë sonë e posaçërisht të rinisë, për kultivimin e drejtë të zhvillimit, afirmimit dhe promovimit të identitetit kombëtar.

Në këtë drejtim, nuk mund të ketë përparim të identitetit kombëtar, në një shtet ku nuk është e rregulluar me ligj përdorimi i simboleve kombëtare, zbatimi në praktikë i dygjuhësisë, zhvillimi i kulturës dhe arsimit, elemente këto, pa të cilat nuk mund të ketë përparim qytetar e kombëtar. Këto problematika edhe në të ardhmen do të mbeten një nga sfidat e të rinjve tanë nga Lugina e Preshevës, të cilët për dallim nga bashkëkombësit e tjerë në hapësirat etnike, mjerisht, këto të drejta, i kanë të cunguara e të ndaluara politikisht.

Duke e parë të rëndësishme edukimin media, si njërën nga format e vetëdijesimit e të rinjve, në kuadër të këtij reportazhi kemi zhvilluar intervista me disa personalitete të kulturës dhe arsimit, pa lënë anash edhe disa të rinj, të cilët shprehën opinionet e tyre lidhur me rolin dhe rëndësinë e identitetit kombëtar, njërës nga sferat më të ndjeshme të shoqërisë sonë.. Gjatë këtij emisioni patëm kënaqësinë të bisedojmë me ta lidhur me këto pyetje: 1. Çka është koncepti i identitetit kombëtar dhe si ndërtohet ai? 2. Çka e karakterizon identitetin kombëtar të një etnie? 3. Çka e dallon identitetin e një etnie nga etnia tjetër? 4. Sa kultivohet ndjenja e identitetin kombëtar kombëtare në Luginë të Preshevës? 5. Cili është Raporti midis identitetit kombëtar, etnik dhe shtetëror në Luginë të Preshevës dhe roli i rinisë në përfshirjen e këtyre proceseve? 6. Çka duhet të ndërmerret, për mbrojtjen e identitetit kombëtar në Luginë të Preshevës?

Këto janë pyetjet e shumta që Ekipi i Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, ua ka shtruar qytetarëve, të cilët nuk kanë ngurruar të japin shpjegime për të gjitha këto dukuri negative, të cilat e rëndojnë gjendjen e kulturës shqiptare në këto hapësira.

Në këtë drejtim nuk ka kaluar në heshtje as ndalimi i shfaqjes së filmit “I pabesi” të autorit Gani Veseli nga Presheva, ndërsa filmi “Heshtja vret” e të njëjtit autor do të lejohet nëse Logoja “Republika e Kosovës hiqet nga titulli dhe të theksohet se filmi nuk është për të rinjtë nga mosha 16 vjeç, vendosi sot Gjykata e Lartë në Vranjë, raporton Jetapress.

Avokati i Veselit tha se do të ankohet kundër këtij vendimi. Ndonëse gjykata njoftoi se shpjegimi zyrtar i aktgjykimit do të publikohet për tri ditë, ai tha se është vendosur që “i pabesi” kinse avokon dhe nxit urrejtje, diskriminim dhe dhunë. Autori paraprakisht ka deklaruar se nuk dëshiron ta largojë logon e Republikën e Kosovës nga filmi sepse qeveria e Kosovës në fakt i ka financuar të dy filmat përmes Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi.

Në këtë drejtim nuk mbeten prapa edhe diskriminimet në fushën e arsimit. Ato janë të llojllojshme dhe mjaft problematike. Kuadrove shqiptare u ndalohet nostrifikimi i diplomave nga Kosova, kurse punëtorët e arsimit marrin paga me diplomë të shkollës së mesme për shkak këtyre pengesave administrative. Shkollat përballen me mungesë të teksteve shkollore dhe me zvogëlim të numrit të nxënësve, të cilët së bashku me prindërit e tyre në heshtje largohen nga vendlindja për në perëndim, për kushte më të mira jetese.

Gjendja e informimit shqip, njërës nga sferat më të ndjeshme të shoqërisë sonë, është shumë e rëndë dhe tepër alarmuese. Shqiptarët kanë shumë portale sa për të qenë, kurse nuk kanë televizion publik në gjuhën amtare e as medium të shkruar. Një gjendje e tillë më së shumti i shkon për shtati pushtetit qendror dhe atij lokal, për t’i mbuluar me terr informative mostransparencën dhe nepotizmin qeverisës.

Këto veprime më së shumti i konvenojnë pushtetit lokal në Preshevë, i cili qe disa vjet nuk shpall konkurs për media, nga seky terr informativ i konvenon për mostransparencë rreth ndarjes së parasë publike në sfera të tjera të veprimtarisë si ajo në formë ndihme, për punëtorët e administratës komunale dhe ndihma të tjera në emër të hendikepuarëve dhe personave me nevoja të veçanta.

Për këto anomali, kanë reaguar edhe shoqata të ndryshme që merren me gazetari, duke llogaritur edhe organizatën joqeveritare “Tranparentnost Srbije”, e cila në matjen e indeksit të transparencës, të  mbështetur nga USAID – i  Amerikan, nga 145 komunat në Serbi, Preshevën për jotransparencë e radhitë të fundit, duke e vlerësuar si një “vilajet” të errët informativ.

Përjashtimi i mediumeve nga buxheti komunal i Preshevës, është antiligjor e jocivilizues, ngase t’i lësh anash gazetarët pa fonde, nuk është njerëzore, etike dhe morale, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, – Dega në Preshevë.

Punësi me integrimi

Vlen të përmendet se ky diskriminim zhvillohet për disa dekada me radhë ndaj komunave të banuara me shumicë shqiptare në Serbi. Njëri ndër diskriminimet është edhe punësimi i njëanshëm, ku shkalla e papunësisë në këto tri komuna është më e larta në Serbi.

            Gjatë vitit 2013, është arritur një marrëveshje e nënshkruar mes liderëve të Luginës së Preshevës dhe të Qeverisë së Serbisë, për punësim dhe integrim, por, mjerisht, ajo marrëveshje nuk është respektuar asnjëherë.

 Rastin më të freskët e kemi në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, ku në krye të këtij institucioni është një serb, derisa mbi 90% e popullsisë janë shqiptarë, gjë që, tha ai, dëshmon politikën diskriminuese ndaj shqiptarëve atje. Gjithashtu, është aktual rasti i punësimeve në Polici dhe Gjykata, ku nuk kemi punësime në këtë segment, në vend të tyre punësohen serbë nga qytetet tjera.

Neni 77 i Kushtetutës së Republikës së Serbisë thotë: “Lidhur me punësimin në organet shtetërore, në ndërmarrjet publike, organet e krahinës, vetëqeverisjes lokale duhet të kihet parasysh përbërja nacionale dhe përfaqësimi proporcional i pakicave nacionale”. Numri i policëve shqiptarë është tejet i vogël, madje shumë prej tyre janë afër pensionit. As edhe një polic i pranuar në vitet e fundit nga komuniteti shqiptar.

Në raportin e fundit të Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në botë për vitin 2022, Serbia kritikohet më së shumti për mungesën e progresit në lirinë e shprehjes, mënyrën se si u mbajt Europride në Beograd dhe dhunën ndaj gazetarëve.

“Pamje e përgjithshme e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe demokracisë: legjislacioni i Serbisë dhe korniza institucionale për ruajtjen e të drejtave themelore është krijuar në masë të madhe. Kjo kornizë duhet të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme dhe efektive.

Serbia ka miratuar strategji të reja për luftën kundër diskriminimit dhe përfshirjes së romëve, si dhe plane veprimi për barazinë gjinore. Serbia duhet të forcojë institucionet e të drejtave të njeriut duke ndarë burimet e nevojshme financiare dhe njerëzore dhe duke vendosur procedura në përputhje me vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe me masat e saj të përkohshme”, thuhet në raport.

Falënderimi

Shoqata e Gazetarëve “Etika” falënderon mbështetjen financiare të projektit “Roli i mediumeve në afirmimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave ”, nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke e vlerësuar atë të një rëndësie të veçantë ngase ka për qëllim zhvillimin, afirmimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave në fushën e përdorimit të gjuhës shqipe, simboleve kombëtare, arsimit dhe informimit si njërat nga sferat më të ndjeshme të shoqërisë sonë.

Rëndësia e realizimit të këtij projekti, gjithashtu, qëndron në atë se përmes organizimi të debateve, konferencave, tryezave të rrumbullakëta, seminareve dhe anketës me qytetarë do të ndikoj në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe institucioneve komunale për rolin dhe rëndësinë që kanë mediumet në popullarizimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave në këtë rajon.

Lugina e Preshevës, është një nga rajonet më specifike, e cila përballet me diskriminim të hapur sa i përket realizimit të drejtave të njeriut dhe pakicave, sa i përket përdorimit të lirë të simboleve kombëtare, barazisë gjuhësore, shkollimit, integrimit, punësimit etj, për shkak përkatësisë nacionale në Serbi.

Luginë e Preshevës, 31.10.2023                               

 Nga Ekipi i Shoqatës së Gazetarëve “Etika”:

Rejhane Rexhepi, Liburn Rashiti, Festa Hyseni