Ballina Aktuale ZGJEDHJET – PROCES I SHENJTË PËR SHOQËRINË DHE DEMOKRACINË

ZGJEDHJET – PROCES I SHENJTË PËR SHOQËRINË DHE DEMOKRACINË

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Procesi zgjedhor në Kosovë është një proces i rëndësishëm shoqëror, një mundësi e mirë e cila i mundëson qytetarëve të shprehin vullnetin e tyre përmes votës.

Zgjedhjet përbëjnë një nga proceset më të rëndësishme dhe themelore në një shoqëri demokratike. Ato nuk janë politikë në kuptimin e përfshirjes partiake, por një mekanizëm i shenjtë që u mundëson qytetarëve të shprehin vullnetin e tyre përmes votës. Në këtë kontekst, deklaratat që ndërlidhin zgjedhjet me përzierjen politike janë të papërshtatshme dhe krijojnë keqkuptime mbi rolin qytetar të të gjithë aktorëve shoqërorë, përfshirë edhe hoxhallarët.

Në këtë drejtim deklaratat e disa krerëve fetarë në Kosovë, të cilët e  cilësojnë pjesëmarrjen e hoxhallarëve në procesin zgjedhor si përzierje në politikë, nuk qëndron për disa arsye se hoxhallarët tërë kohën përzihen në politikë, për tema të ndryshme e tash në zgjedhje ju ndalohet për pjesëmarrje duke u fokusuar:

  1. Zgjedhjet nuk janë politikë partiake, por një e drejtë qytetare
    Zgjedhjet janë një proces ku secili qytetar, pa dallim feje, profesioni apo bindjeje, ka mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij themelore për të zgjedhur dhe për të ndikuar në të ardhmen e vendit. Përkrahja e këtij procesi nuk nënkupton përfshirje në politikë, por është një kontribut për përgjegjësinë qytetare dhe demokratike.
  2. Hoxhallarët kanë përgjegjësi morale dhe shoqërore
    Hoxhallarët, si figura me ndikim në komunitet, kanë detyrë të nxisin qytetarët të marrin pjesë në procese që ndikojnë në përmirësimin e shoqërisë. Thirrjet për mospjesëmarrje në zgjedhje nuk ndihmojnë as qytetarët, as demokracinë. Përkundrazi, ato dekurajojnë përgjegjësinë qytetare dhe forcojnë indiferencën.
  3. Dallimi midis përfshirjes në politikë dhe përkrahjes së zgjedhjeve
    Të mbështesësh procesin zgjedhor nuk do të thotë të mbash anën e ndonjë partie politike apo të bëhesh pjesë e lojërave politike. Përkundrazi, kjo është një thirrje për qytetarët që të përfshihen në mënyrë aktive në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë përmes votës së tyre.
  4. Hoxhallarët nuk duhet të bien pre e politikës
    Njëkohësisht, është e rëndësishme që hoxhallarët të mos bien pre e politikanëve që mund të kërkojnë mbështetjen e tyre për interesa të ngushta partiake. Ky do të ishte një devijim nga misioni i tyre fetar dhe shoqëror.

Në përfundim, zgjedhjet janë një proces demokratik i domosdoshëm që garanton të drejtat dhe interesat e qytetarëve. Thirrja për pjesëmarrje në to është thirrje për përgjegjësi dhe kontribut ndaj shoqërisë, jo përfshirje në politikë. Si figura me ndikim në komunitet, hoxhallarët duhet të jenë shembull në promovimin e këtij procesi, duke mbrojtur gjithmonë interesat e qytetarëve dhe jo të politikës partiake. Të zgjedhim me përgjegjësi – për një të ardhme më të mirë!