Ballina Aktuale Ndikimi i politikës në krizën e vlerave shoqërore

Ndikimi i politikës në krizën e vlerave shoqërore

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Duhet ta pranojmë se shoqëria shqiptare, është zhytur në një dilemë të thellë për shkak të ndikimeve, presioneve dhe dhunës psikologjike, që po ushtrohen nga njerëzit e politikës, mediave dhe pushtetarëve.

Secili po garon paturpësisht, sipas stilit, mundësive dhe aftësive të tij, për të tregtuar çdo vlerë në tregun e lirë, pa llogaritur humbjet, pasojat dhe kompensimin e dëmeve.

Motoja e tyre duket të jetë: “Sot për nesër!” ose “Ta provoj, nëse funksionon!”. Ata kanë përvetësuar fenë, kombin dhe çdo vlerë sikur të jenë trashëgimi nga baballarët e tyre. Kanë dalë nga kornizat e vetëdijes njerëzore; nuk po shikohet më as e drejta, as realiteti.

Zemrat janë ngurtësuar dhe e vërteta po shtrembërohet me vetëdije, duke u fshehur pas pasioneve për çdo gjë që “fluturon në qiell!”. Me një fjalë, është krijuar një gjendje kaotike dhe e çrregulluar.

Si të dalim nga kjo gjendje?

Mendimi im është se nga kjo situatë mund të dilet vetëm me udhëzimet e Krijuesit, i cili na ka mësuar duke na porositur: ” … andaj, pyetni njerëzit e ditur, nëse ju nuk dini!” Prandaj, për të mos shkatërruar një shoqëri, popujt duhet të marrin mendimet, diturinë dhe udhëzimet nga profesionistët dhe të diturit, ata që kanë pushtetin e dijes.

Zoti i Plotfuqishëm nuk ia ka lënë botën dhe vlerat e saj amanet pushtetarëve apo të pasurve. Pse? Sepse pushtetarët, për interes të pushtetit, tradhtojnë përgjegjësitë e tyre, ndërsa të pasurit, për pak përfitim, i shesin të gjitha vlerat. Ndërsa të diturit e sinqertë nuk shiten dhe as nuk blihen.