Ballina Aktuale MESAZH URIMI I REISUL-L-ULEMA I BASHKËSISË ISLAME TË SERBISË, MYFTIU NEXHMEDIN EF....

MESAZH URIMI I REISUL-L-ULEMA I BASHKËSISË ISLAME TË SERBISË, MYFTIU NEXHMEDIN EF. SAQIPI, ME RASTIN E FITËR BAJRAMIT

SHPËRNDAJE

Të nderuara motra dhe vëllezër të besimit islam. Të dashur qytetarë!

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, më lejoni që, në emër të Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell urimet më të përzemërta për këtë ditë të bekuar.

Fitër Bajrami është një festë e veçantë, që shënon triumfin shpirtëror pas muajit të madhërishëm të Ramazanit. Është moment gëzimi, faljeje dhe reflektimi, që na fton të forcojmë lidhjet familjare dhe shoqërore, të kultivojmë paqen, mirëkuptimin, dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Kjo festë është një mundësi për të ndarë begatinë dhe për të shtrirë dorën e solidaritetit ndaj atyre që kanë më shumë nevojë.

Të dashur besimtarë!

Në këtë ditë të shenjtë, zemrat tona bashkohen në lutje e mirënjohje ndaj Zotit të Lartësuar, që na mundësoi të përmbushim agjërimin dhe të ndjejmë afërsinë e mëshirës dhe bekimeve të Tij. Namazi i Bajramit është një moment i rëndësishëm falënderimi, ku lartësojmë vlerat e besimit, përkushtimit dhe mirësisë.

Duke uruar që Fitër Bajrami të sjellë paqe, harmoni dhe begati në familjet tuaja, uroj që kjo ditë të mbushet me dashuri, lumturi dhe respekt të ndërsjellë.

Urime Fitër Bajramin për të gjithë besimtarët kudo që ndodhen!

Rijaseti i Bashkësisë Islame të Serbisë

Reisu-I-Ulema H.Nexhmedin ef. Saqipi