Ballina Aktuale Kur të gjithë ikën, unë qëndrova – Një rrëfim i harruar nga...

Kur të gjithë ikën, unë qëndrova – Një rrëfim i harruar nga Tërnoci i vitit 1999

SHPËRNDAJE

Një dëshmi personale e imamit dhe veprimtarit nga Lugina e Preshevës, i cili në kohën e pasigurisë dhe dhunës, nuk e braktisi popullin, por qëndroi me të – duke e mbrojtur me fjalë, guxim dhe përkushtim.

Nga: Nexhmedin Saqipi

Gabimi më i madh i politikës shqiptare në Luginë ka qenë mbjellja e urrejtjes ndaj meje – jo pse isha hoxhë, por pse isha një vullnetar i dalë nga gjiri i popullit, në një kohë kur ai mbeti pa drejtim dhe pa udhëheqje. Nuk kam kërkuar kurrë mirënjohje publike, sepse dëshira ime e vetme ka qenë që Zoti të më pranojë këtë vepër.

Në kohën më të rëndë, kur shumë udhëheqës, hoxhallarë e mësues braktisën vendin – shkuan në Maqedoni apo në Perëndim – unë qëndrova. Nuk ika. Nuk e lashë popullin tim. E përballova situatën e jashtëzakonshme me guxim dhe me përkushtim. Me dialog dhe përballje të drejtpërdrejtë me ushtrinë serbe, arrita të mbroj njerëzit tanë nga masakrat, dëbimet dhe dhuna.

Në vitin 1999, Tërnoci ishte në epiqendër të propagandës serbe, i paraqitur si vendbanim i rrezikshëm, si “qendër e drogës”, me lajme që shpiknin se edhe pleqtë pinin drogë në çaj e prapa mureve fshiheshin tanke. Por unë isha aty. Ditë e natë. Në rrugë, në xhami, në shtëpitë e popullit. Që të mos largohej askush. Që të qëndronin të fortë, në shtëpitë e tyre.

As kam kërkuar ndonjë pozitë, as lavdi. Por nuk mund të pranoj që sot të më gjykojnë ata që popullin e lanë në mëshirë të fatit, e pas luftës u kthyen për të zënë poste të larta. Populli shpesh fal, por historia nuk harron.

Me një rast, ia kam thënë troç edhe dr. Rexhep Bojës, kryetarit të BIK-ut të Kosovës, pas Lufte: “Ju nuk keni të drejtë morale të udhëhiqni me Bashkësinë Islame të Kosovës, e as Dr. Rugova me Kosovën, e as ta drejtoni popullin, sepse e keni braktisur në momentet më kritike dhe keni dështuar, sikur te kishit qëndruar sikur unë në krye të popullit dëmet do të ishin shume më të vogla”

Unë nuk ika. Kam qenë aty kur populli kishte nevojë. Dhe kjo më mjafton. E kam përmbushur misionin tim jo me armë, por me përballje, dialog, mençuri dhe rrezikim personal.

Nëse e krahasojmë veprimtarinë time me të tjerët, le të peshojë historia. Sepse unë jam i vetmi që e kam çuar deri në fund me sukses. Pa pasur pas vetes as shtet, as strukturë. Por me besim në Zot dhe dashuri për popullin tim.


Ky nuk është rrëfim për lavdi, por një kujtesë për ndërgjegjen kolektive.

Autori është veprimtar i hershëm dhe udhëheqës fetar në Luginën e Preshevës. Ky rrëfim publikohet për të rikujtuar sakrificat e heshtura që shpesh mbesin jashtë narrativave zyrtare.