Ballina Aktuale KUR FJALA GAZETARE KTHEHET NË FUSHATË LINÇUESE

KUR FJALA GAZETARE KTHEHET NË FUSHATË LINÇUESE

SHPËRNDAJE

Në vend të reagimit:

Reagim ndaj shkrimit të gazetarit Enver Robelli, të publikuar në “Koha.net”, më 9 korrik 2025

Me keqardhje dhe indinjatë lexuam shkrimin e gazetarit Enver Robelli me titull “Shqiptarët në Luginën e Preshevës: të diskriminuar, të harruar dhe të dëshpëruar”, i cili, ndonëse trajton një temë të ndjeshme dhe të rëndësishme për realitetin e shqiptarëve në Luginë, në pjesë të caktuara të tij e tejkalon kufirin profesional, etik dhe njerëzor, duke rënë në grackën e një retorike linçuese dhe të njëanshme, përkundër parimeve të gazetarisë së paanshme dhe të drejtë.

Gazetari Robelli ka zgjedhur që në vend të analizës së balancuar të përfshijë gjykime subjektive dhe përçmuese, sidomos ndaj personaliteteve si Reisu-I-Ulema Nexhmedin ef. Saqipi, i cili prej dekadash është një figurë me kontribute të shumëfishta në jetën fetare, civile, arsimore dhe mediale të shqiptarëve në Serbi. Ai, nuk është “një imam i quajtur Nexhmedin Saqipi” siç tenton të zvogëlojë gazetari, por është Reisu-I-Ulema i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, themelues i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Kryetar i Shoqërisë Civile në Bujanoc, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, autor librash, opinionist dhe kontribues i hershëm për demokraci e bashkëjetesë.

Një vizitë e parë e një gazetari në Bujanoc nuk e legjitimon përdorimin e etiketimeve ofenduese ndaj një personaliteti që gëzon respekt të gjerë në mesin e qytetarëve dhe që ka një histori të dëshmuar për përpjekje drejt paqes, stabilitetit, dialogut dhe ruajtjes së identitetit kombëtar.

Në vend të thellimit të ndarjeve dhe krijimit të perceptimeve të rreme, do të ishte më e dobishme që gazetaria të shërbejë si urë ndërlidhëse, si pasqyrë e të gjitha zërave dhe jo si instrument i linçimit publik të atyre që për vite kanë kontribuar në ruajtjen e ekzistencës kombëtare në rrethana shumë të vështira.

Apelojmë për përgjegjësi më të madhe në raportim, për etikë në trajtimin e temave të ndjeshme dhe për respekt ndaj të gjithë atyre që, me mund e sakrificë, punojnë për mbijetesën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, njofton Jetapress