Ballina Aktuale PËRGJEGJËSIA NUK ËSHTË HAJGARE – FATURËN E PAGUAJNË QYTETARËT

PËRGJEGJËSIA NUK ËSHTË HAJGARE – FATURËN E PAGUAJNË QYTETARËT

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Pas gjithë tragjedive që ka përjetuar rajoni ynë, është trishtues fakti që politikanët ende nuk kanë mësuar asgjë. Në vend që të ndërtojnë mbi të vërtetën dhe drejtësinë, ata vazhdojnë t’i ushqejnë qytetarët me mashtrime dhe iluzione. Kur liderët ua hedhin barrën qytetarëve për të vendosur se çfarë duhet bërë, atëherë është më mirë të tërhiqen dhe të kthehen në shtëpi.

Pas përfundimit të luftërave, ndërkombëtarët mbetën këtu për të ndërtuar rend të ri demokratik. U investuan projekte, u ngritën misione, u dha mbështetje për shtetin ligjor. Por partitë që ishin pjesë e problemeve mbetën në pushtet. Disa u paraqitën si viktima, morën donacione, u betuan për integrim evropian – por nuk e morën seriozisht as misionin e as obligimet.

Sot jemi aty ku ishim: me institucione të brishta, nën mbikëqyrje ndërkombëtare, me mentalitet të bllokuar. Serbia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Kroacia – të gjitha në të njëjtin film. Kush nuk kupton rëndësinë e obligimeve ndërkombëtare, nuk ka punë në politikë. Sepse moszbatimi i tyre sjell pasoja të rënda politike e ekonomike.

Specialja

Rasti i Gjykatës Speciale për Kosovën është shembull tipik: ishte obligim shtetëror, ishte një proces i nënshkruar me ndërkombëtarët. Nuk ishte hakmarrje personale. Siç Serbia dhe Kroacia e dërguan elitën e tyre politike para drejtësisë, as Kosova nuk ishte përjashtim. Askush nuk është mbi ligjin. Presidenti Hashim Thaçi, pavarësisht gjithçkaje, e pranoi këtë obligim dhe bashkëpunoi me drejtësinë – një akt i përgjegjësisë shtetërore. Ky është qëndrim burrëror.

Ndërsa frikacakët që ikin nga përgjegjësia, bëjnë dëme dhe fshihen pas turmave e retorikave boshe, janë rreziku më i madh për vendin. Popullistat që marrin pushtetin me britma e rrëmujë, janë simptomë e krizës së demokracisë. Në shtetet e konsoliduara pushteti fitohet me votë, përgjegjësi dhe respekt për institucionet, jo me zjarr e tym.

Herojtë e kohës sonë janë ata që e pranojnë përgjegjësinë dhe nuk ikin nga drejtësia. Ata që i shërbejnë kombit me integritet, edhe kur kjo kushton jetë apo liri. Kush nuk e mban dot këtë barrë, më mirë të qëndrojë në shtëpi – se flliqja e popullit dhe e shtetit është mëkati më i rëndë që mund të bësh.